AlbanianSport.com 21/08/2019 16:40
ASNN – Historia e “Ferrarit” do të paraqitet në “Piazza Duomo” në Milano me Fetelin dhe Lëklërkun. Në prag të Çmimit të Madh të Monzës, që feston 90-vjetorin e tij, do të ekspozohen disa makina, që kanë bërë histori me makinën e kuqe, midis të cilave ajo e Laudës, Villnëvit dhe Shumakerit. Do të jetë një Çmim i Madh ai i Monzës, me një vigjilje për të mos e humbur, e programuar në 8 shtator 2019.
Dy emra që kanë bërë histori në motorsporte, “Automobile Club d’Italia” (ACI) dhe “Ferrari”, do të përkujtojnë dy momente të rëndësishme. Për këtë arsye, të mërkurën e 4 shtatorit, në “Piazza Duomo” të Milano, ACI-ja do të festojë edicionin e 90-të të Çmimit të Madh të Italisë, në Autodromin Nacional dhe me këtë rast “Ferrari” do të kujtojë edhe 90 vitet e themelimit të tij.
Një takim i rëndësishëm që do të zhvillohet në zemër të qytetit, do të kujtojë historinë e Çmimit të Madh të Italisë në pistën e Monzës, po ashtu edhe historinë e jashtëzakonshme të skuadrës së “Ferrarit” që nga lindja e saj. Të pranishmit do të mund të shijojnë disa nga makinat spektakolare, që kanë bërë epokë. Të tilla si “Alfa Romeo 8C” e Tacio Nuvolarit, piloti i parë që fitoi një garë me skuadrën e Enzo Ferrarit.
Por edhe makina përuruese e ndërtuar nga “Ferrari” pas prishjes së marrëdhënieve me “Casa di Arese”, ajo “312 F1” e Kris Amonit, “312 T” e Niki Laudas, “126 CK” e Zhill Villnëvit dhe “F2002” e Mikael Shumakerit. Nuk do të mungojë në këtë parakalim yjesh, zëvendëspresidenti Piero Ferrari, drejtori i përgjithshëm Matia Binotto, dhe pilotët titullarë, Sebastian Fetel dhe Sharl Lëklërk.