AlbanianSport.com 30/09/2018 16:55
ASNN – Ljuis Hamilton fiton Çmimin e Madh të Rusisë dhe e çon në 50 pikë diferencën me Sebastian Fetelin në renditjen e përgjithshme të pilotëve në këtë Botëror. Triumfi i britanikut vjen falë urdhërit të dhënë nga skuadra e “Mercedesit”, që i kërkoi Botasit të ngadalësojë ritmin, duke i dhuruar kështu fitoren e duke shtuar shpresat për titull. Shumë pak mund të thuhet për “Ferrarin”, me Fetelin që u detyrua të kënaqet me vendin e 3-të, ndërsa Raikoneni, i 4-ti.
Fitorja e tretë radhazi për Ljuisin, që përveç ndihmës që i erdhi nga skuadra, tregoi edhe njëherë se po kalon një moment magjik, duke qenë me të vërtetë i pakapshëm. Superfuqia “Mercedes” fitoi një betejë taktike, por në këtë fundjavë edhe tepër teknike, e detyroi “Ferrarin” të bëjë një garë anonime, në përfundim të së cilës i la të kuptojë se për të sjellë në shtëpi Btërorin e pilotëve, por edhe të konstruktorëve, duhet diçka më shumë se sa një mrekulli.
Nisja e garës ishte pa shumë surpriza, me Botasin, Hemiltonin, Fetelin dhe Raikonenin që ruajnë pozicionet e tyre, e xhirojnë në pistë thuajse me kohë të njëjta. Por kryeveprën e vërtetë në këtë garë e bën Verstapeni, që vetëm pas tri xhirosh ndodhet në zonën e pikëve, e pas 8 xhirosh ndodhet në vendin e 5-të, kur u nis nga vendi i fundit. Provon të qëndrojë në garë deri në xhiron e 44-t me të njëjtat goma, por më pas nuk mundet dhe pas kësaj, holandezi e mbyll garën në vendin e 5-të.
Megjithë manovrat e skuadrave me “pit stop”, asgjë nuk ndryshon. Feteli provon të kalojë Hemiltonin, por e ka të pamundur. U desh urdhëri i skuadrës së “Mercedesit”, me shef Toto Volfin, që iu dha Botasit, në xhiron e 26-të, “Lërë Ljuisin të kalojë”, që Hemilton të marrë kryesimin dhe ta ruajë atë deri në fund të garës. Nga ky moment, gara bëhet e mërzitshme për të gjithë pasi pozicionet janë vendosur. Përfundimisht Hemiltoni fiton edhe në Rusi, duke iu afruar edhe më shumë titullit “kampion” për pilotë.
Ndërsa titulli për skuadrën e kuqe, kur kanë mbetur edhe 5 gara deri në përfundim të kampionatit, duket një iluzion.