Formula 1 / Binoto: Nëse kufizohet buxheti, “koha për të braktisur anijen”

Share Button

AlbanianSport.com 23/04/2020 17:10

ASNN – Ka ardhur si një rrufe në qiell të hapur dhe, në gjuhën e sportit, do të ishte një lajm po aq i keq, në mos edhe më i keq, sesa vetë koronavirusi. Kjo sepse drejtuesit e “Ferrari”-t kanë kërcënuar ta tërheqin skuadrën që në fakt e mishëron këtë sport, nga bota e Formulës 1. Pavarsisht situatës shumë të vështirë që është krijuar nga epidemia e virusit “COVID-19”, që ka shpërthyer në shkallë globale, në sportin më të shpejtë të automobilizmit vazhdojnë polemikat në lidhje me rregullat e reja, sidomos ato që pritet të reduktojnë ndjeshëm buxhetin e të gjitha skuadrave pjesëmarrëse. Në fakt, një kufizim i shpenzimeve do t’i bënte vërtet shumë mirë këtij sporti, duke përafruar në mënyrë të dukshme ekipet për nga niveli dhe paraqitja, për të rritur ndjeshëm konkurrencën në Formula 1.

Por, në mënyrë të kuptueshme, një ndryshim i tillë ka hasur në qëndresën e fortë dhe kundërshtimin e disa prej skuadrave kryesore të këtij kampionati. Kështu ka mosmarrëveshje mes 3 skuadrave më të rëndësishme të Formulës 1, sepse “Ferrari” dhe “Red Bull”-i nuk kanë ndër mend të lëshojnë akoma më tepër në diskutimin për uljen e buxhetit. Kjo vjen në një kohë kur ekipi tjetër i madh, ai i “Mercedes”-it, është i gatshëm për të bashkëpunuar, për të reduktuar shpenzimet, duke plotësuar në këtë mënyrë kërkesat e skuadrave të tjera, më pak të fuqishme. Në një situatë të tillë drejtuesit e skuadrës së famshme italiane kanë dalë hapur kundër, duke kërcënuar publikisht edhe me një largim të mundshëm nga Formula 1.

Aktualisht ky sport është zhytur në një krizë të thellë financiare, për shkak të pandemisë së koronavirusit, që për pasojë ka shtyrë nisjen e edicionit të 71-të të Botërorit të Formulës 1, duke shtyrë rrjedhimisht edhe 9 garat e para të sezonit. Mbi të gjitha, askush nuk është në gjendje për të thënë se kur do të fillojë me saktësi kampionati i vitit 2020 dhe sa gara do të përmbajë edicioni i sivjetshëm. Por, nga ana e tyre një pjesë e mirë e skuadrave po mendojnë për forma të tjera të reduktimit të kostove, për të mbijetuar në një sport që, siç dihet, është vërtet shumë i kushtueshëm. Kufiri aktual i 160 milionë Eurove për skuadër u thye dhe u vendos zbritja në shifrën e 135 milionëve për vitin 2021.

Por Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), si dhe drejtuesit e disa prej skuadrave pjesëmarrëse, me në krye shefin e “MekLaren”-it, 48-vjeçarin kalifornian Zak Braun, kanë kërkuar që shpenzimet të reduktohen akoma më tepër, duke i kufizuar ato deri në shumën e 90 milionë eurove. Në lidhje me një temë të tillë, ka folur edhe vetë shefi i “Ferrari”-t, Matia Binoto, i cili, në një intervistë për të përditshmen e njohur britanike, “The Guardian”, shpjegoi se kërkesa e bërë për të zbritur deri te 135 milionë eurot është shumë e ndryshme krahasuar me nivelin e përcaktuar qershorin e vitit të kaluar, që fiksoi shifrën 160 milionë si kufi për të gjithë ekipet. Sipas tij, një ndryshim i tillë lidhet me diçka që nuk mund të arrihet pa sakrifica të mëdha në aspektin njerëzor.

Një vendim i tillë, sipas inxhinierit italian, mund ta shtrëngojë “Ferrari”-n, për të studiuar mundësi të tjera, ku të dalë në pah më së miri ADN-ja e këtij ekipi dhe shpirti i vërtetë i garës që ka skuadra nga Maranelo. “Ferrari” përfaqëson të vetmin ekip që figuron në çdo kampionat të Formulës 1, duke filluar që nga edicioni hapës, që është zhvilluar në vitin e largët 1950. 50-vjecari, i lindur në Lozanë të Zvicrës, beson se, në kushte të tilla, është koha “për të braktisur anijen”, edhe pse Binoto mendon se një vendim kaq irëndësishëm si ky i uljes së buxhetit nuk mund të merret në një formë të nxituar. Kreu i “Ferrari”-t deklaroi se, në Formula 1, ka skuadra të të gjitha llojeve, me karakteristika jo të njëjta.

Skuadra që punojnë në vende të ndryshme, në bazë të një legjislacioni të ndryshëm dhe me forma të veçanta pune. Matia Binoto tha se nuk është e lehtë për të bërë ndryshime thelbësore në strukturë, thjesht duke reduktuar shpenzimet e skuadrave në mënyrë lineare. Ai pranon se të gjithë janë të ndërgjegjshëm për situatën e vështirë që po kalon jo vetëm Formula 1 por i gjithë globi, për shkak të epidemisë së “Covid-19”, kështu që, sipas tij, nuk është ky momenti për të reaguar në këtë mënyrë, sepse ekziston rreziku që të merren vendime pa i vlerësuar siç duhet të gjitha pasojat që mund të shkaktojë. Binot qartësoi se një vendim i tillë mund të sjellë për pasojë edhe shkurtimin e shumë vendeve të punës.

Kështu që ai theksoi se do të bëjë çmos për të mbrojtur personelin që ka në dispozicion. 50-vjeçari italian mendon se nëse aprovohet idea e propozuar nga homologu i tij, shefi i “MekLaren”-it, Zak Braun, për të kufizuar buxhetin deri në atë pikë, atëherë Formula 1 rrezikon për të rënë shumë si nivel, në një kohë kur ky sport sipas tij duhet të përfaqësojë lokomotivën e automobilizmit, që tërheq prodhuesit e ndryshëm të makinave, si dhe sponsorët e shumtë anembanë rruzullit. Natyrisht, “nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë”, por ajo që vlen të theksohet është se “Ferrari” nuk është një peshë e lehtë dhe se çështja nuk është aq e lehtë sa ç’duket dhe se nuk është thjesht çështje kufizimi buxheti.

Artikuj të tjerëFaqja Kryesore

Basketboll – Meshkuj / Mbyllet java e 29-të, Real Madrid nuk lëshon pé

Basketboll – Meshkuj / Mbyllet java e 29-të, Real Madrid nuk lëshon pé

AlbanianSport.com 15/03/2024 23:05 ASNN – Veprimtaria më prestigjioze kontinentale e klubeve në basketboll

Basketboll – Meshkuj / Java e 28-të sjell në parket derbin helen, fiton Olimpiakos

Basketboll – Meshkuj / Java e 28-të sjell në parket derbin helen, fiton Olimpiakos

AlbanianSport.com 14/03/2024 20:55 ASNN – Derbi helen, spektakël në parket. Supersfida e javës së 28-të

Volejboll – Femra / Karshiollu, një ish-trajner i Partizanit për Tiranën

Volejboll – Femra / Karshiollu, një ish-trajner i Partizanit për Tiranën

AlbanianSport.com 14/03/2024 19:05 ASNN – Bylent Karshiollu është trajneri i ri skuadrës së Tiranës

FSHF / Më 23 mars 2024 në Tiranë mbahet turneu i veçantë i veteranëve

FSHF / Më 23 mars 2024 në Tiranë mbahet turneu i veçantë i veteranëve

AlbanianSport.com 14/03/2024 18:10 ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) organizon turneun

(Video) Dejvi Shkëmbi do të përfaqësojë Shqipërinë në “eEuro 2024”

(Video) Dejvi Shkëmbi do të përfaqësojë Shqipërinë në “eEuro 2024”

AlbanianSport.com 14/03/2024 14:30 ASNN – Dejvi Shkëmbi do të përfaqësojë Shqipërinë në fushatën

  

Kuqezinjtë në “Gjermani 2024” – Vendi Organizator & Të rejat më të fundit

banner
banner
banner

Arkiva

banner
banner
banner
banner
banner
banner

Kontakte dhe informacione

Rrjeti Shqiptar i Lajmeve Sportive (ASNN)

PR & Marketing:
Gentiana Kodra (Pine)

Rrjetet Sociale

Rreth Nesh