AlbanianSport.com 17/09/2019 20:20
ASNN – Largimi i Fetelit nga “Ferrari” është i qartë tashmë. E skuadra italiane po kërkon pilotin që do të bashkohet Lëklerkut për Botërorin e 2021-shit. Binoto ka përjashtuar mundësinë e ardhjes së Verstapenit, duke u shprehur se “dy gjela në një kotec nuk mund të rrinë”. Ata duan një dyshe si Hemilton-Botas tek “Mercedes”-i, një pilot të parë të shkëlqyer dhe një tjetër ndihmës që fiton dhe merr pikë. Kështu, Matia Binoto ka filluar të mendojë për skuadrën e së ardhmes tek “Ferrari”, pra pilotin që do t’i bashkohet Sharl Lëklerkut.
Por ai ka hedhur poshtë mundësinë e ardhjes së Maks Verstapenit në 2021-shin. “Lëklerku dhe unë mund të ishim në të njëjtin ekip, – ka thënë holandezi. – Unë nuk them se nuk mund të ketë konflikte, por nuk do të ishte si Hemiltoni dhe Rosbergu dikur tek “Mercedes”-i.” Me një finesë që nuk përputhet me agresivitetin që ai shfaq në timonin e makinës së tij “RB15”, Maks Verstapeni nuk e humbi mundësinë që ofroi Sebastian Feteli në Çmimin e Madh të Italisë, për ta lënë veten të dashurohet nga “Skuderia” italiane.
Sepse sipas gjasave, Feteli do të largohet nga “Maranelo” sezonin e ardhshëm. I pyetur në lidhje me këtë propozim, Matia Binoto jo vetëm që ka përjashtuar plotësisht hyrjen e holandezit në skuadrën italiane, por ai ka shprehur bindjen e tij për të përsëritur modelin aktual të “Mercedes”-it, me Ljuis Hemiltonit dhe Valteri Botasin, ku britaniku është piloti i parë i shkëlqyeshëm dhe finlandezi një pilot që mund të fitojë garat dhe të shënojë shumë pikë për kampionatin. “Unë erdha këtu te “Ferrari” në kohën e Mikael Shumakerit, kur Rubens Barrikelo ose Felipe Masa ishin pranë tij”, – ka thënë Binoto.
“Unë mendoj se duhet të kemi një shofer të shkëlqyeshëm të parë dhe një shofer tjetër që mund të fitojë garat dhe të shënojë pikë, – ka vijuar kreu i skuadrës italiane të Formulës 1. – Diçka si Hemiltoni dhe Botasi. Dy pilotë së bashku, pasi Maksi dhe Sharli krijojnë vështirësi për administrimin e ekipit.”