AlbanianSport.com 11/07/2019 19:35
ASNN – Çmimi i Madh i Britanisë, sjell një kujtim të mirë për Sebastian Fetelin. Gjermani i “Ferrarit” do të përpiqet të përsërisë fitoren që mori vitin e kaluar. E përpara kësaj gare, Matia Binotto ka folur për Fetelin, në një intervistë, duke i dalë në mbrojtje gjermanit. Madje ai e ka krahasuar Fetelin me Shumakerin, duke i quajtur të të njëjtit nivel. Kështu, Drejtori i “Ferrari”-t, Matia Binoto, ka dalë në mbrojtje të Sebastian Fetelit, në prag të garës së 10-të të Botërorit të Formula 1, asaj që do të zhvillohet në Silverstoun, në një intervistë të dhënë për “Auto Bild Motorsport’.
Ai ka mbështetur edhe qëllimin që ka gjermani për t’u shpallur “kampion” me “Ferrari”-n. “Ai ka një ëndërr, të bëhet “kampion” bote me “Ferrari”-n dhe ne e mbështesim atë për ta realizuar këtë ëndërr”, – ka thënë ai. I pyetur për gjendjen e pilotit gjerman brenda ekipit, italiani thotë se “nuk është e lehtë për të, pa dyshim”. “Ai e kupton rolin e tij në ekip, – ka thënë Binoto. – Feteli është shumë i rëndësishëm për mua, sepse ai ka shumë përvojë dhe aftësi të mëdha si pilot. Është një lider që ka entuziazëm të madh në punë. Ai gjithashtu është entuziast edhe kur nuk fiton.”
“Gjë që nuk është aq e lehtë, por ai e di se ky entuziazëm është çelësi për të fituar në të ardhmen dhe ai gjithashtu e di se askush nuk mund të fitojë vetëm, ekipi është baza”, – shpjegon kreu i skuadrës italiane. Përsa u përket kritikave që janë bërë këtë vit në drejtim të Fetelit, drejtori i “Ferrari”-t thotë se ato nuk janë të drejta. “Gjithmonë ka pasur situata në garë, në të cilat Sebastian Feteli ishte në kufirin absolut të mundësive të tij, – ka këmbëngulur ai. – Pilotët tanë duhet të marrin parasysh shumë rreziqe për të qëndruar në krye”.
Dhe mbrojtjen e tij ndaj Fetelit, Binoto e përmbyll me vendosjen e tij në të njëjtin nivel me Shumakerin. “Po, të dy janë liderë, të dy janë “kampionë”, të dy kanë punuar shumë për të qenë në këtë nivel”, – ka përfunduar Drejtori i “Ferrari”-t, Matia Binoto.