AlbanianSport.com 22/12/2020 19:15
ASNN – Berni Ekleston ka folur për situatën aspak të këndshme që po kalon “Ferrari”. Ai thekson se shkak për krizën te skuadra italiane janë vetë drejtuesit. Sipas tij, “Ferrari” nuk mund të drejtohet vetëm nga italianët, por duhen edhe të huaj, të cilët kanë mendime të ndryshme. Berni Ekleston, tashmë 90 vjeç, vazhdon të jetë aktiv në botën e Formulës 1. Ai gjithmonë ka folur dhe vazhdon ta bëjë këtë, madje me më shumë shqetësim për situatën aktuale, edhe pse është jashtë biznesit të këtij sporti.
Këtë radhë ai nuk ka hezituar të tregojë drejtpërdrejt se cilët janë përgjegjësit për krizën e “Ferrari”-t, pas këtij viti, që ishte për të ardhur keq për ekipin e Maranelos. Duke folur për gazetën “La Stampa”, britaniku deklaron: “Nuk është qëllimi im të ofendoj, por unë gjithmonë kam besuar se problemi janë vetë italianët”. Dhe ai e argumenton kështu mendimin e tij: “Gjithkush dëshiron të udhëheqë dhe të gjithë kanë idetë e tyre. Unë nuk jam duke thënë se ata nuk duhet të jenë atje, në ekip, por ata duhet të kenë gjithashtu gjermanë, francezë ose anglezë, pra njerëz që mendojnë ndryshe”.
Eklestoni mbron teorinë e tij me një shembull që ndodhi te “Ferrari” në 1993-shin. “Ajo që ndodhi me Zhan Todtin ishte rasti konkret, – kujton ai. – Italianët nuk e donin, por i binda ta marrin dhe gjithçka shkoi mirë.” Dhe ai shton se situata e kreut aktual të skuadrës së kuqe, është larg ideales. “Binotto është në një pozitë shumë të pakëndshme, – thotë britaniku. – Nuk e di nëse ai ka dashur ndonjëherë të jetë udhëheqës i ekipit, ai është një inxhinier dhe gjithmonë është marrë me çështje teknike.”
Kushdo që drejton Formulën 1 për dekada me një stil të veçantë propozon se cili do të ishte, sipas mendimit të tij, personi i duhur për atë përgjegjësi në Ferrari. “Ajo që i nevojitet “Ferrari”-t është një menaxher i mirë që vendos njerëzit e duhur në vendet e duhura, – thotë Eklestoni. – Tre vjet më parë mendova se Flavio (Briatore) do të ishte njeriu ideal, ai ka ide të mira dhe do të dinte të zgjidhte njerëzit e duhur. Ai nuk është politikan”. Sidoqoftë, për këtë zgjedhje, Berni e pranon se kjo është një mundësi që do kohën e vet duke argumentuar se: “Sot Flavio është shumë i zënë me kompanitë e tij”.