AlbanianSport.com 28.07.2015 16:40
ASNN – Reali i Madridit është shoqëria sportive më e pasur në botë. Revista e mirënjohur amerikane, “Forbes”, ka publikuar një listë me 15 ekipet më të pasura në të gjitha sportet.
Madrilenët janë në vendin e parë, me një vlerë prej 3.26 miliardë dollarësh, duke lënë pas skuadrën e futbollit amerikan, “Dallas Kaubojs”, dhe ekipin e bejsbollit “Nju Jork Jenkis”, të cilat vlerësohen të dyja me nga 3.2 miliardë dollarë.
Në vendin e katërt e të pestë gjenden sërish dy skuadra evropiane futbolli, përkatësisht Barcelona, me një vlerë prej 3.16 miliardë dhe Mançester Junajtid, me 3.1 miliardë dollarë amerikanë.
Për Realin e Madridit ky është viti i tretë radhazi që ndodhet në krye të kësaj liste prestigjioze, një tjetër dëshmi kjo që tregon se sa të fuqishëm janë 10 herë kampionët e Evropës.
“Forbes” bën këtë vlerësim të skuadrave sportive që prej 1998-s dhe këtë vit lista përbëhet nga 51 shoqëri sportive.