AlbanianSport.com 02.09.2017 20:40
ASNN – Flamurtari u është rikthyer përgatitjeve në Vlorë, pas disa ditëve pushimi, pas rikthimit nga faza përgatitore e zhvilluar në Greqi. Vlonjatët tashmë mendjen e kanë tek ndeshja e kampionatit ndaj Skënderbeut, ndërsa aktualisht mbetet vetëm një mungesë që shqetëson dhe ajo e mbrojtësit Franc Veliu.
Ai u dëmtua në Greqi dhe duket se do të mungojë disa javë. Trajneri Shpëtim Duro, konfirmon se tashmë ngarkesat vijnë drejt uljes dhe vëmendja shkon tek ndeshja e parë e kampionatit, pikërisht ajo në Korçë ndaj Skënderbeut. Duke konfirmuar mungesën e Veliut për disa javë, Duro thekson se zgjidhja do të gjendet.
Ndërkaq, trajneri kryeqytetas i ekipit vlonjat shpreson që sezonin futbollistik ta nisë me një rezultat pozitiv. Ndryshimet tek Flamurtari kanë qenë të mëdha këtë vit, si në organikë, ashtu edhe në aspektin sportiv, ndërsa synohet minimalisht pjesëmarrja në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm.