AlbanianSport.com 22.05.2015 10:20
ASNN – Janë përcaktuar ekipet finaliste që do të diskutojnë titullin për Kampionatit Kombëtar të Futbollit për grupmoshat e Nën-17-vjeçarëve dhe Nën-19-vjeçarëve. Kështu për Kategorinë Superiore të Nën-17-vjeçarëve, në finale do të luajnë Flamurtari dhe Vllaznia, ndërsa për Nën-19-vjeçarët, do të përballen me njëra-tjetrën Shkëndija e Tiranës dhe Partizani.
Kështu, Flamurtari dhe Vllaznia për Nën-17-vjeçarët dhe Shkëndija e Tiranës dhe Partizani për Nën-19-vjeçarët janë skuadrat qe do te diskutojnë midis tyre finalet e kampionateve të grupmoshave përkatëse. Në sfidat gjysmëfinale, Nën-17-vjeçarët vlonjatë kane arritur të mundin 2-0 ekipin e Mjeshtërisë Sportive të Shkëndijës, në një ndeshje mjaft interesante. Ndërkohë, në takimin tjetër, Vllaznia nuk ka patur problem të thyejë 3-0 Teutën, duke fiksuar tashmë finalen Flamurtari-Vllaznia.
Atë që nuk mundën ta bënin Nën-17-vjeçarët e Shkëndijës, e arritën Nën-19-vjeçarët e Shkollës “Loro Boriçi”, që ia kanë dalë të shkojnë në finalen e kampionatit, duke mposhur 2-0 Flamurtarin. Skuadra e drejtuar nga ish-futbollisti i Dinamos dhe Partizanit, Luan Pinari ka shënuar në fillim me anë të Kadri Ndreut, ndërsa më pas, ka fiksuar shifrat në 2-0 Paolo Ivani.
Një arritje e vërtetë për Shkollën e Futbollit, që për herë të parë pas shumë vitesh, përfaqësohet me ekipe në gjysmëfinale për të dyja grupmoshat. Kjo edhe falë punës dhe përkushtimit të drejtorit të kësaj shkolle, ish-futbollistit të Dinamos dhe Kombëtares, Ermal Tahiri, që, së bashku me trajnerin, kanë ditur të përzgjedhin elementët e duhur në skuadrat përkatëse.
Në finalen e Nën-19-vjeçarëve, Shkëndija e Tiranës do të luajë kundër Partizanit, që në gjysmëfinalen e kësaj veprimtarie ka mposhtur 3-1 Vllazninë.
Kampionati Kombëtar i Futbollit për
Grupmoshën e Nën-17-vjeçarëve
Kategoria Superiore
Gjysmëfinalet:
(21 maj 2015)
Të enjten:
Shkëndija Tiranë – Flamurtari 0-2
Kompleksi Sportiv “Internacional”, Pezë-Helmës
Teuta – Vllaznia 0-3
Kompleksi Sportiv “Internacional”, Pezë-Helmës
Finalja:
Flamurtari – Vllaznia
Kampionati Kombëtar i Futbollit për
Grupmoshën e Nën-19-vjeçarëve
Kategoria Superiore
Gjysmëfinalet:
(21 maj 2015)
Të enjten:
Partizani – Vllaznia 3-1
Kompleksi Sportiv “Internacional”, Pezë-Helmës
Shkëndija Tiranë – Flamurtari 2-0
Kompleksi Sportiv “Internacional”, Pezë-Helmës
Finalja:
Shkëndija Tiranë – Partizani