AlbanianSport.com 22.04.2017 20:55
ASNN – Flamurtari ka korrur të shtunën në mbrëmje fitoren e dytë radhazi dhe të 3-tën në këto 5 javë të fundit në Kategorinë Superiore, duke mundur Vllazninë 2-0 dhe u ngjitur përkohësisht mbi zonën e ftohtë të rënies, duke mbajtur kështu gjallë shpresat për mbijetesë në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar. Në fakt, sfida e luajtur në Vlorë ka nisur më mirë për vendasit, me Alveshin që godet nga larg, por pasaktësisht.
Megjithatë, vlonjatët nuk do të vonojnë të kalojnë në epërsi, pas vetëm 7 minutash lojë, kur Bushiç fiton duelin me mbrojtjen shkodrane, duke e dërguar topin në rrjetë. Vllaznia përpiqet të reagojë, por fillimisht është Bakaj që godet pasaktësisht brenda zonës, ndërsa shkodranët do të vijojnë të shkojnë dëm një tjetër rast të volitshëm brenda zone, duke mos përfituar siç duhet nga dalja e pasigurt e portierit Halilaj.
Në anën tjetër, Alvesh vazhdon të provojë fatin me një goditje jashtë zone, por topi has në një lojtar vlonjat dhe largon mbrojtja. 10 minutat e fundit të pjesës së parë, flasin për Vllazninë, që fillimisht do të kërkojnë një 11-metërsh, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari maltez. Gardiani Halilaj do të reagojë mirë më pas me një grushtim të një goditjeje jashtë zone të shkodranëve.
Këtu kanë edhe një tjetër pretendim për 11-metërsh, sërish të papranuar nga gjyqtari. Me këtë epërsi minimale të vendasve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të luhen në një nivel mesatar. Alvesh do të ndëshkohet padrejtësisht nga një gabim i gjyqtarit në dhënien e pozicionit jashtëloje, ndërsa për Vllazninë është Bakaj ai që godet nga larg, por pasaktësisht.
Megjithatë Flamurtari do ta gjejë edhe një tjetër gol, këtë radhë me autor Alveshin, që reagon dhe godet zgjuarsisht me kokë dhe përshëndet rrjetën në minutën e 71-të. 20 minutat e mbetura dhe ato shtesë do të flasin më tepër për Vllazninë, që, përtej një mbrojtjeje të ngjeshur të vlonjatëve, do ta rrezikojë dy herë portën e vendasve dhe në të dyja rastet, gardiani kuqezi, Halilaj, u është falur shtyllave, që kanë shmangur golin.
Flamurtari fiton 2-0 në mbyllje dhe merr 3 pikë të vlefshme mbijetese, ndërsa Vllaznia vazhdon “ruletën ruse” me Luftëtarin për një vend në Evropë.