Adriatik Balla 21.06.2015 07:55
Flamurtari ka befasuar dy ditët e fundit me lëvizjet e tij në merkato, duke sjellë lojtarë të huaj në gjirin e vet dhe duke dhënë shenjat e para se edicionin tjetër do të jetë ndryshe,
pra klubi do të luftojë për trofe. Kështu, klubi vlonjat është shumë pranë përforcimit me tre futbollistë për skuadrën e sezonit të ardhshëm, për të cilët pritet tashmë vetëm zyrtarizimi.
Në këtë mënyrë trajneri i ri, Stanislav Levi, do të ketë në organikë grupin e duhur për një sezon ku skuadra do të niset sërish me ambiciet maksimale pas dështimit në kampionatin që sapo u mbyll. Në mëngjesin e së shtunës kanë zbarkuar në Vlorë për bisedimet e rastit për të arritur një marrëveshje mesfushori kosovar Gramoz Kurtaj dhe sulmuesi nga Bosnjë-Hercegovina, Jovica Stokiç.
Kurtaj, 24-vjeçar luan në qendër të mesfushës dhe sezonin e fundit është aktivizuar në divizionin e dytë çek me skuadrën e Mostit, ku ka koleksionuar 30 ndeshje si titullar, ndërsa ka spikatur edhe me instiktin e tij për të goditur portën, duke shënuar 6 gola. Një avantazh për transferimin e tij te Flamurtari përbën edhe fakti se futbollisti ka si pasaportën gjermane, ashtu edhe atë të Kosovës.
Ndaj ai nuk e redukton numrin e lojtarëve të huaj. Për sa i përket 28-vjeçarit nga Bosnjë-Hercegovina, Stokiç, i cili ka qenë në bisedime edhe me Skënderbeun vjen nga Borac Banja Luka, një ndër klubet më të famshëm boshnjakë, ku në edicionin e fundit ka luajtur 26 ndeshje duke shënuar 10 gola. Roli i tij natyral është sulmues i dytë, por mund të zhvendoset edhe në krah ose para portës.