AlbanianSport.com 05/01/2018 13:45
ASNN – Ndonëse viti i ri 2018 ka më pak se 72 orë që ka hyrë në fuqi, Flamurtari nuk ka vijuar të nisë përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit. Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, trajneri Shpëtim Duro ka shpalosur edhe kalendarin e përgatitjeve.
Për trajnerin e kuqezinjve, emrat e kundërshtarëve në Antalja, do të mësohen gjatë qëndrimit atje. Kryeqytetasi i stolit vlonjat flet edhe për merkaton e janarit. Për Duron, një blerje si Ledian Memushaj mbetet një bast i vështirë.
Trajneri i Flamurtarit ka theksuar se skuadra e tij mbetet e përqendruar tek pjesa e mbetur e kampionatit, ku ai përsërit se kanë merituar më tepër. Flamurtari, që e mbylli 2017-tën në vendin e dytë të renditjes së Kategorisë Superiore, me 28 pikë, 9 më pak sesa Skënderbeu kryesues, e nis 2018-ën me supersfidën e 27 janarit në Vlorë ndaj Partizanit.