Gjergj Vyshka 01.05.2015 13:25
Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit, i mbledhur të mërkurën në takimin e radhës, ka dënuar tre muaj presidentin e Flamurtarit, Sinan Idrizi, me akuzën për fyerje dhe ofendime me dashje të zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Jo vetëm kaq, por e ka gjobitur atë në shumën e 300.000 lekëve të rinj.
Në fakt akuzat e Sinan Idrizit kanë ardhur që nga momenti që Etika ka dënuar me 6 muaj pezullim portierin e Flamurtarit, Ilion Lika, ndërsa vlonjatët kanë bërë të ditur se do ta çojnë çështjen ne Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Menjëherë pas vendimit, Idrizi ka reaguar po njësoj.
“Më ka dënuar Komisioni i Disiplinës se kam fyer Komisionin e Etikës? – ka deklaruar ai. – Çfarë fyerje? Se i thashë “prostitutë”? Për t’i informuar këta të komisionit, “prostitucion” nuk është fyerje, është profesion dhe nuk personifikova konkretisht dikë, por kujt t’i djegë le ta mbajë.”
“Ama një gjë duhet të dini zotërinj të ç’nderuar se në jetë kurrë nuk ngordhin ata kuaj që duan qentë”, – ka përfunduar ai. Ndërkohë Komisioni i Disiplinës ka gjobitur edhe Tiranën dhe Kukësin, përkatësisht në shumat 50,000 dhe 100,000 lekë të rinj për sjellje jokorrekte të tifozëve.