Adriatik Balla 10.05.2015 20:50
Trajneri i Partizanit Shpëtim Duro nuk është shumë i kënaqur nga loja që u zhvillua dje në Vlorë, por pranoi se e kënaqi rezultati, pra trepikëshi, i cili vjen në momentin e duhur. Sipas kreut të stolit të kuq, skuadra e tij e meritoi fitoren, pasi e kërkoi më shumë atë dhe pati më shumë raste shënimi. “Në pjesën e parë ishim më superior dhe mund ta kishim mbyllur”, – tha Duro për mikrofonin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që e solli për sportdashësit drejtpërdrejt ndeshjen midis Flamurtarit dhe Partizanit. -“Në pjesën e dytë skuadra u tërhoq instinktivisht prapa.”
“Edhe në pjesën e dytë mund të kishim shënuar me Raçiçin dhe Mazrekajn. Janë ndeshje të vështira në interpretim, sepse luanim sezonin dhe unë e pranoj se Flamurtari na vuri në vështirësi, – vijoi ai. – Megjithatë, personalisht më kënaq fitorja.” Trajneri pranoi se ndeshja paraqiste vështirësi në planin taktik, sidomos kur ishte fjala për kundërshtar të cilët mund të bënin surprizën në çdo moment. Sipas Duros, kjo duhej ta motivonte më shumë ekipin e tij në fushën e lojës.
Nga ana e tij, zëvendëstrajneri i Flamurtarit dhe trajneri i portierëve, Luan Birçe, edhe pas kësaj ndeshjeje kujtoi se kuqezinjtë në këtë fund kampionati po mendojnë më shumë për aktivizimin e elementit të ri dhe nuk po interesohen shumë për rezultatet. “Ishte një humbje normale, – deklaroi ai. – Ne nuk kishim objektiv rezultatin, e kemi deklaruar se synimi ynë ka qenë aktivizimi i lojtarëve të rinj, për t’i përgatitur për të ardhmen. Aktivizuam dy lojtarë të Nën-16-vjeçarëve, ndërsa lojtarët e rinj përbënin 40% të organikës”, – përfundoi Birçe.