AlbanianSport.com 29.11.2016 19:00
ASNN – Veprimtaria e dytë e basketbollit të femrave, Kupa e Shqipërisë, ka kurorëzuar sonte Flamurtarin si fituese të saj, pasi skuadra vlonjate ka mposhtur në finale sfidanten Goga Basket, me shifrat 79-23. Në fakt, rezultati përfundimtar nuk e tregon realisht atë që ndodhi në parket, në një ndeshje ritmi i së cilës u ndikua mjaft edhe nga ndërprerja për plot 4 herë e energjisë elektrike në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.
Takimi ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme për Goga Basketin, pasi Flamurtari kryeson deri në 10-0 në minutat e para dhe, përtej ndërprerjeve të energjisë, pjesa e parë do të mbyllet 27-7 në favor të vlonjateve, të cilat do ta fillojnë të dytën duke kryesuar 30-9. Ndonëse durrsaket do të reagojnë, duke e fituar pjesën e dytë 24-15, janë vlonjatet që shkojnë në pushim duke kryesuar 42-31.
Goga Basket do ta vazhdojë formën e mirë të saj, duke u afruar në një moment edhe në shifrat 41-44, por pa arritur të barazojë, edhe pse e ka fituar edhe pjesën e tretë në shifrat 21-16. Flamurtari e fillon 10-minutëshin e fundit, që është edhe më i luftuari, duke kryesuar 58-52 dhe nuk lëshon, duke e fituar atë 21-20 dhe gjithë ndeshjen me shifrat, 79-72.
Plot 18 herë e ka fituar tanimë Flamurtari Kupën e Shqipërisë në basketboll për femra, ndërsa mbetet mbajtësja e këtij trofeu, sepse dhe vitin e kaluar ka qenë e tillë. Ndërsa skuadra e Goga Basketit, e drejtuar nga trajneri i ri, Henri Moja, por me një grup interesant lojtaresh shqiptare e të huaja, ka dëshmuar se ende ka për të mësuar nëse synon ta sfidojë seriozisht Flamurtarin në kampionat.
Kupa e Shqipërisë
Basketboll – Femra
Gjysmëfinalet:
(28 nëntor 2016)
Të hënën:
Flamurtari – Studenti 95-55
(17-18, 28-5, 23-7, 27-25)
Goga Basket – Tirana 95-61
(18-15, 27-20, 30-7, 20-19)
Finalja
(29 nëntor 2016)
Të martën:
Flamurtari – Goga Basket 79-72
(27-7, 15-24, 16-21, 21-20)