AlbanianSport.com 27/11/2018 07:00
ASNN – Presidenti Ilir Meta dekoron Flamurtarin e Vlorës, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Flamurtari i fundviteve 1980 i ka dhuruar vendit emocione të papërshkruara, me atë prezantim magjik në kupën UEFA të atyre viteve, ku në dy sezone radhazi është përballur me disa prej klubeve të fuqishme të kontinentit, përfshi dhe Barcelonën e madhe të cilën e ka mundur në Vlorë me rezultatin 1-0. Por për sportdashësit jo më pak e vlefshme ka qenë dhe eliminimi që i bëri Partizanit të Beogradit.
Për atë ekip të mrekullueshëm që ka bërë krenar shqiptarët në ditë të vështira, duhej një vlerësim dhe më në fund vjen një organizim dhe një medalje për atë brez lojtarësh që shkruan një faqe të ndritur të historisë së futbollit shqiptar. Presidenti Ilir Meta, ka dekoruar ekipin e Flamurtarit të vitit 1986-1987 me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. “Futbolli vlonjat ka nevojë të vlerësojë historinë e tij të lavdishme dhe unë besoj se Vlora e ka një potencial të tillë dhe sot”, – ka thënë kreu i shtetit.
“Dëshiroj t’u drejtohem lojtarëve të dikurshëm, që suksesin e arritur në ato vite, ta përcjellin te futbollistët e sotëm vlonjat dhe të mbarë Shqipërisë, për të kultivuar tek futbollistët e rinj pasionin dhe dëshirën për futbollin, – u shpreh Presidenti Ilir Meta nga salla e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, ku ishin mbledhur ish-lojtarët e Flamurtarit magjik,. Jam i kënaqur dhe i lumtur që mund të shpreh përgëzimet më të mira për lojtarët e mëdhenj.
“Të tillë si: Luan Birçe, Anesti Arapi, Artur Lekbello, Petro Ruci, Rapo Taho, Kreshnik Çipi, Përparim Lushaj, Roland Iliadhi, Alfred Ferko, Alfred Ziaji, Latif Gjondeda, Vasil Ziu, Vasil Ruci, Agim Bubeqi, Sokol Kushta, Eqerem Memushi, Viktor Daullja, e shumë të tjerë. Si dhe trajnerët e tyre: Leonidha Çurri dhe Skënder Elmazi. Edhe sot ju mbani mbi shpatulla jo vetëm meritat dhe kontributet në lartësimin e futbollit shqiptar ndër vite, por edhe një përgjegjësi të madhe.”
“Sepse jeni modeli i duhur për të frymëzuar sportistët tanë të rinj në arritjen e sukseseve në futboll , – vijoi Meta. – Prandaj, kam privilegjin dhe kënaqësinë të vlerësoj për kontributin dhe rezultatet e arritura ekipin e futbollit të “Flamurtarit” me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.” Më pas, pati çmime edhe për lojtarët e dalluar individualisht të atij brezi, si: Sokol Kushta, Rrapo Taho, etj, por edhe për Petro Rucin (pas vdekjes).
Flamurtari i atyre viteve ka zhvilluar 4 ndeshje me Barcelonën (dy në vitin 1986 dhe dy në vitin 1987), ku ka fituar një, ka humbur një e ka barazuar në dy takime të tjera me golavarazh 3-5, por një nga duelet që shkaktoi bujë të madhe ishte ai ndaj Partizanit të Beogradit, të cilin Flamurtari e mundi 2-0 ndeshjen e parë në Vlorë, e humbi dueline dytë 2-1 në Beograd, por mundi të kualifikohet më tej. Në atë takim golin me vlerë në Beograd e shënoi Sokol Kushta, një nga realizimet më të bukura e më emocionuese të futbollit tonë.
Në të dyja ndeshjet me serbët, si kundërshtar i vlonjatëve luajti edhe ikona e futbollit të Kosovës, tashmë i ndjeri Fadil Vokrri, në atë kohë sulmues kryesor i Partizanit të Beogradit.