AlbanianSport.com 28.05.2016 07:05
ASNN – Flamurtari i jep edhe një shpresë vetes për titull. Vlonjatet kanë fituar mes shumë vështirësive me Goga Basket, që do të thotë se edhe sikur në Durrës të fitojë skuadra e Grevës vetëm më 3 qershor në qytetin bregdetar do të ngrihet trofeu i kampiones. Flamurtari, kampionia në fuqi e basketbollit të femrave, i ka dhënë edhe një shpresë vetes për të qenë sërish me titull në këtë kategori.
Edhe pse mes shumë vështirësi përballë një kundërshtari që nuk ka lëshuar për asnjë çast, Flamurtari ia ka dal të jetë fitues në duelin e tretë me ta. Edhe sikur Goga Basket të fitojë ndeshjen e katërt, që të martën do të luhet në “Ramazan Njala” të Durrësit, në ora 18:00, ajo që është e sigurt është se titulli kampion do të mund të ngrihet në Vlorë më 3 qershor.
Vlonjatet e kanë nisur rrufeshëm ndeshjen, teksa kanë fituar pjesën e parë 26-11 dhe duket se po shkohet përsëri drejt një triumfi me 30 pikë. Flamurtari ka fituar dhe pjesën e dytë 22-13 dhe në pushim ka shkuar në dhomat e zhveshjes me epërsinë 48-24, e bollshme për të administruar suksesin. Goga nuk lëshon, por kthehet ndryshe në duel.
Ka fituar të dy pjesët 10-17 dhe 19-28, por nuk mund ta ndalë Flamurtarin të marrë suksesin, që është 77-69. Pra një fitore mes drithërimash për skuadrën e trajnerit Viron Toska, që përsëri mbetet e aftë për të qenë “kampione” e Shqipërisë. Por që mbetet për t’u parë nëse do të zgjidhet në Durrës të martën, më 31 maj, apo në Vlorë, më 3 qershor 2016.
Flamurtari – Goga Basket 77-69 (2-1)
(26-11, 22-13, 10-17, 19-28)
Flamurtari: Myrto, Zykaj, Plasa, Palko, Kostallari / Hysaj, Rrapaj, Lloi, D. Hasanaj. Trajner: V. Toska
Goga Basket: Përmeti, Turçinoviç, Xhanaj, Qypi, Mehmeti / Memushi, Baraj, Dishnica. Trajner: A. Greva
Gjyqtarë: G. Cici, O. Kasmi, A. Bejko (Tiranë)