AlbanianSport.com 08.08.2015 07:55
ASNN – Mario Morina, ish-sulmuesi i Tiranës, është në pritje për t’u bashkuar me Flamurtarin në Slloveni. Edhe pse mungon ende zyrtarizimi, lajmi për ardhjen e ish-sulmuesit bardheblu tek vlonjatët konfirmohet nga burime pranë klubit bregdetar. Morina është një nga përforcimet kryesore të kësaj merkatoje vere tek vlonjatët, të cilët e patën kërkuar lojtarin edhe më parë.
Por u duk se me afrimin e tij me Tiranën u duk gjithçka e mbyllur në idenë e ardhjes së Morinës tek Flamurtari. Por tashmë gjithçka ka ndryshuar dhe lojtari pritet që shumë shpejt të bëjë edhe zyrtarizimin si futbollisti më i ri i Flamurtarit, por që nuk do të jetë i vetmi. Bashkë me sulmuesin nga Tirana priten që të bëhen pjesë e kuqezinjve dhe Kërçiku dhe Taku.
E me të duket se vlonjatët kanë mbyllur gjithçka dhe ai do të jetë pjesë e Flamurtarit. Por, sa i përket merkatos, vlonjatët vijojnë të qëndrojnë aktivë në këtë drejtim. Ata janë në pritje edhe të vendimit të FSHF rreth lojtarëve të huaj, që do të jenë në fushën e lojës për sezonin e ardhshëm futbollistik. Flamurtari e ka shprehur interesin e vet për të cuar në 6 numrin e lojtarëve të huaj.
Por për momentin nuk ka ende asnjë vendim zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit, kurse nga konfirmimi i sektorit të garave vjen se do të jetë vetëm 4. Në rast se do të lejoheshin 6 lojtarë të huaj në fushë, atëherë Flamurtari nuk do ta ndalë merkaton e tij vetëm tek Morina, Kërçiku apo Taku, por do të kërkojë dhe përforcime nga jashtë Shqipërisë.
Megjithatë pritet që shpejt të ketë dhe një zyrtarizim për një sulmues tek vlonjatët. Sepse alternativat e vetme të sulmit për skuadrën e Levit janë Buval dhe Shehaj.