AlbanianSport.com 23/04/2019 20:35
ASNN – Flamurtari nuk njeh humbje në Vlorë, thyen SHBF Tiranën dhe shtynë kualifikimin për të shtunën. Flamurtari në basketboll për femra tregoi dhe një herë që nuk heq dorë lehtë nga objektivat e saj madhore, për më tepër nga titulli “kampion”, duke qenë njëherësh mbajtës në fuqi i këtij titulli. Duelin e parë në gjysmëfinalen e parë të “play-off”-it me Shoqatën e Basketbollit të Tiranës, të trajneres Mirza Alibegaj, Flamurtari e kishte humbur të shtunën e kaluar në kryeqytet.
Por sot Flamurtari korri një fitore të bujshme në Vlorë ndaj SHBF Tiranës, me rezultatin 65-49. Flamurtari i dha shenjat e një ndeshjeje të madhe që në çerekun e parë të takimit, të cilin e fitoi me shifrat 18-14. Në 10-minutëshin e dytë pati më shumë rivalitet në minutat e para, ku SHBF Tirana arritn të kalojë madje dhe në avantazh të një pike, por në fund të këtij çereku është sërish Flamurtari që fiton 19-14. Pra Flamurtari e mbyll gjysmën e parë të lojës së tij me shifrat 37-28, duke bërë një hap të mirë drejt fitores.
Diferencën më të madhe vlonjatet e bënë në çerekun e 3-të, të cilin e fituan me shifrat 17-11, ndërsa në fund në 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, vlonjatet fiksuan shifrat 11-10 dhe e fitojnë krejt ndeshjen 65-49. Me këtë fitore, skuadra e trajnerit Viron Toska barazon 1-1 rezultatin e fitoreve me SHBF Tiranën dhe shtyn fatin e kualifikimit për të shtunën, në ndeshjen e tretë e të fundit gjysmëfinale midis tyre. Ekipi që do të fitojë duelin në kryeqytet do të shkojë në finale e madhe me SHKBF Tiranën.