AlbanianSport.com 05.11.2016 18:55
ASNN – Dy skuadrat kryesuese të renditjes së Kategorisë Superiore, Skënderbeu dhe Partizani, kanë zhgënjyer në takimet e javës së 10-të, e cila ka luajtur sot 3 ndeshjet e para. Ndërkohë që Partizani është ndalur në një barazim 1-1 në Gjirokastër përballë Luftëtarit, Skënderbeu është mundur 0-2 në Vlorë përballë Flamurtarit vendas. Kjo ndeshje është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur sot 3 takimet e javës së saj të 10-të, që është njëkohësisht edhe java e parë e fazës së dytë, nga 4 të tilla, të këtij sezoni. Sikundër ka bërë çdo javë, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt takimin më të spikatur të javës. Bëhet fjalë për ndeshjen që është luajtur në Vlorë, duke nisur nga ora 17:00, midis Flamurtarit dhe Skënderbeut. Në fakt, fati i kësaj ndeshjeje është vendosur brenda 38 minutave të para të saj.
Fillimisht është Shkodra, i cili realizon në minutën e 10-të, dhe, më pas, është Bushiç, i cili dyfishon epërsinë e vlonjatëve. Me këtë epërsi dygolëshe të vendasve do të mbyllen 45 minutat e para. Ndërsa ato të dytat nuk do të sjellin gola të tjerë dhe Flamurtari fiton me rezultatin 2-0 dhe ngjitet në vendin e 5-të të renditjes. Më herët, duke nisur nga ora 14:00, janë luajtur dy takimet e tjera të kësaj jave, Luftëtari-Partizani, që është mbyllur në barazim 1-1 dhe Laçi-Korabi, që është fituar minimalisht nga vendasit.
Ndërsa dy takimet e fundit të javës së 10-t të Kategorisë Superiore luhen të dielën dhe, duke nisur nga ora 14:00, Kukësi pret në fushën e vet Vllazninë, ndësa duke nisur nga ora 17:00, Teuta është mysafire në kryeqytet, për t’u ndeshur me Tiranën.