AlbanianSport.com 21/02/2019 16:20
ASNN – Sulmuesi argjentinas Mauro Ikardi është duke kaluar një nga momentet më të vështira të karrierës së tij. Ai e nisi sezonin aktual si kapiten dhe njëherësh si lider i Interit, duke qenë dhe një golashënues i rregullt. Por kur ka kaluar gjysma e parë sezonit dhe janë luajtur shumë ndeshje të fazës së dytë në Serinë A italiane, argjentinasi ndodhet në hall të madh. Atij i kanë hequr shiritin e kapitenit dhe kjo e ka “zhburrëruar”.
Lojtari është parë gjatë kësaj kohe, duke reflektuar me veten dhe të tjerët. Mediat italiane e kanë në faqet e para të tyre dhe paralajmërojnë shpërthimin e madh që mund të vijë nga momenti në moment. Lotët e menaxheres dhe bashkëshortes së tij Uanda Nara si dhe deklaratat e saj se heqja e shiritit duket sikur i ka prerë një këmbë Ikardit, dëshmojnë se lojtari nuk ndihet më i motivuar në radhët e zikaltërve.
Jo vetëm kaq, por Ikardi ka “shpikur” një dëmtim, i cili nga analizat nuk del i vërtetë, një dëmtim muskular, ku ai nuk pranon të luajë. Mediat aludojnë që ai nuk është i dëmtuar por nuk dëshiron të zbresë në fushë në shenjë proteste për heqjen e shiritit të kapitenit. Mauro Ikardi nuk do të luajë sot ndaj Rapidit e as nuk do të jetë në fushë në duelin e radhës në kampionat kundër Fiorentinës, duke dëshmuar se diçka po gatuhet në kampin zikaltër dhe sulmuesi gjithnjë e më shumë po e sheh veten largn Interit.