AlbanianSport.com 29/11/2018 21:15
ASNN – Finalja e “Libertadores” do të luhet në Europë, CONMEBOL-i zgjedh stadiumin e Realit. Finalja e madhe e Kupës “Libertadores” do të luhet më 12 dhjetor 2018 dhe kjo do të bëhet në kryeqytetin spanjoll, Madrid. Dueli ndërmjet River Plejt dhe Boka Zhuniorsit, një “Klasike” argjentinase dhe amerikanolatine, do të luhet në stadiumin e Realit të Madridit, “Santiago Bernabeu”.
Vendimin e mori konfederata e futbollit e Amerikës së Jugut (CONMEBOL), pas ngjarjeve të dhunshme që shpërthyen para se të niste ndeshja në stadiumin “Monumental” të Argjentinës pak ditë më parë dhe ku egërsia e tifozëve të River Plejt për pak solli një tragjedi, sepse u dhunua skuadra e Boka Zhunjors me gurë dhe gaz lotsjellës, çka solli dëmtimin e disa lojtarëve.
Edhe pse Boka kërkoi fitoren në tavolinë, federate në fjalë vendosi që ndeshja të luhej, por për shkak të pamundësisë në Stadiumin “Monumental”, të zhvendosej jashtë Argjentinës, prandaj u zgjodh Spanja. Ndërkohë, klubi i River Plejt, për shkak se nuk mori masat e duhura, u gjobit me 400 mijë dollarë gjobë. Përveç gjobës, River Plejtit i mbyllet stadiumi “Monumental” për dy ndeshje ndërkombëtare.
Komisioni ka vendosur që të dënojë me në gjobë të majme klubin pritës, por njëkohësisht edhe që ndeshja të luhet, duke zgjedhur një fushë neutrale. Ajo fushë do të jetë stadiumi “Santiago Bernabeu” i Madridit, ku River dhe Boka do të përballen më datë 12 dhjetor, ora 20:30. Edhe pse vendimin e mori CONMEBOL, të dy klubet kanë shprehur pakënaqësi.
River Plejti ka deklaruar se do ta apelojë vendimin në Gjykatën Sportive të Lozanës (CAS). Nëse ndeshja do të luhet në Spanjë, atëherë ajo do të ndiqet me tifozë, numri i të cilëve do të jetë i barabartë, sepse është finale.