AlbanianSport.com 13/03/2021 21:40
ASNN – “FSHF Cup, veprimtaria e organizuar për herë të parë nga Federata e Futbollit ka mbyllur edicionin e saj të parë këtë të shtunë me sfidën finale “Endju Dekor”-“Sind Al”, që përfundoi me fitoren e kësaj të fundit me shifrat 3-0. Ndeshja e zhvilluar në Kompleksin “Football Republic” ishte mjaft e luftuar, duke sjellë emocione të mëdha dhe mjaft raste për gol nga të dyja skuadrat.
Ardian Torra arriti të zhbllokojë sfidën për “Sind Al” vetëm në minutat e fundit të pjesës së parë, duke i kaluar në epërsi dhe duke i dërguar në dhomat e zhveshjes me këtë epërsi minimale. Në pjesën e dytë, pas disa rasteve nga të dyja ekipet, është sërish një futbollist i “Sind Al”, Orian Mata, i cili gjen dy herë rrjetën dhe duke i çuar shifrat në 3-0 për skuadrën e tij.
Pavarësisht rasteve nga “Endju Dekor”, ndeshja përfundoi me fitoren e “Sind Al”, që bëhet kështu skuadra e parë që fiton trofeun e “FSHF Cup”, veprimtarisë së organizuar nga Federata e Futbollit. Vasil Bici, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe Jurgen Demneri, përgjegjës i këtij turneu në Federatë, i dorëzuan kupën ekipit të “Sind Al” në ceremoninë e organizuar në përfundim të finales dhe shpërndanë medaljet për finalistët.