AlbanianSport.com 15/02/2021 23:10
ASNN – Do të përdoret që nga turi i 16-shes, deri në finalen e madhe të 29 majit në Stamboll. Ndeshjet e mbetura të Ligës së Kampioneve do të shënojnë edhe një gur kilometrik, pasi ky do të jetë sezoni i 20-të që përdoret topi zyrtar,i njohur ndryshe edhe si “starball”, apo topi me yje që simbolizon këtë veprimtari prestigjioze. I futur për herë parë në përdorim në 2001-shin, ky top ndërthur emblemën e Ligës së kampioneve dhe është bërë një simbol i vetë këtij turneu, që është më i njohuri në botë.
Topi i prodhuar nga kompania e njohur ndërkombëtare e veshjeve dhe pajimeve sportive “adidas”, partnere zyrtare e UEFA-s, do të përdoret duke nisur që nga ndeshjet e turit të 16-shes, deri në finalen e madhe, që do të luhet më 29 maj 2021 në Stadium Olimpik “Atatürk” të Stambollit. Topi përfshin çdo dizenjo të 20 finaleve të mëparshme, duke ndërthurur kështu të shkuarën dhe të tashmen.
Shiritat e hollë dhe të kuq kanë të shkruar emrin e çdo qyteti mikpritës të finaleve, ndërsa panelet e ndërfutura falë nxehtësisë ofrojnë një sipërfaqe të shkëlqyer, për një kontroll më të mirë të topit. Topi i mbiquajtur “Finale Stamboll 2021” vazhdon të ofrojë kontroll, qëndrueshmëri akrobatike dhe një siguri më të madhe, për më tepër saktësi në fushën e blertë.