AlbanianSport.com 27.10.2015 12:10
ASNN – FIFA ka konfirmuar sot zyrtarisht kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat do të mbahen më 26 shkurt të vitit 2016, pas dorëheqjes së deklaruar të kreut aktual të organizmit më të lartë të futbollit botëror, Sep Blaterit.
Kandidatët në fjalë janë Princi jordanez Ali bin al-Husein, Musa Biliti, Zherom Shampanjë, Xhani Infantino, Mishel Platini, Sheiku Salman bin Ebrahim al-Khalifa, si dhe “Tokio” Seksuejll. Ndërkohë, një ish-futbollist i Trinidadid dhe Tobagos nuk është përfshirë në këtë listë.
Zgjedhjet do të zhvillohen për të përcaktuar pasuesin e të pezulluarit Sep Blaterit, i cili është duke u hetuar penalisht. 79-vjeçari zviceran njoftoi dorëheqjen e tij në qershor, vetëm pak ditë pasi ishte rizgjedhur në atë post, pasi FIFA u përfshi në një skandal korrupsioni.
Presidenti i UEFA-s, Platini është gjithashtu i pezulluar, por Komiteti Zgjedhor i FIFA-s ka bërë të ditur se mund ta lejojë francezin të garojë, nëse pezullimi i tij do të përfundojë përpara datës së zgjedhjeve.
Prokurorë zviceranë dhe amerikanë kanë nisur hetimet në lidhje me raportimet për një pagesë prej 1,35 milionë paund të bëra në vitin 2011 për punën e Platinisë si këshilltar i Blaterit. Të dy këta mohojnë të kenë kryer ndonjë parregullsi, si dhe kanë apeluar vendimet për pezullimin e tyre me 90 ditë nga të gjitha aktivitetet.