AlbanianSport.com 22.10.2015 17:50
ASNN – Kriza që ka përfshirë organizmin që qeveris futbollin botëror, FIFA, sa vjen e thellohet çdo ditë, duke përfshirë në vorbullën e saj gjithnjë e më shumë drejtues dhe figura të sportit më popullor në planet.
Bëhet e ditur se Komisioni i Etikës në FIFA ka nisur hetimin ndaj presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit dhe njëkohësisht zëvendëspresidentit të FIFA-s dhe UEFA-s, Angel Maria Vijar, si dhe ndaj ish-kreut të Komitetit Organizativ të Botërorit “Gjermani 2006”, Franc Bekenbauer.
Ende nuk janë zbuluar arsyet e nisjes së hetimit, por mendohet se ka lidhje me parregullsitë në procesin e dhënies së të drejtës së organizimit të Botërorit 2018 Rusisë dhe atij të 2022-shit, Katarit.
Në këto momente, Vijari është drejtuesi me më shumë fuqi në futbollin botëror, pasi vetëm pak ditë më parë, ai u zgjodh si president i përkohshëm i UEFA-s, duke zëvendësuar Presidentin Mishel Platini.
Francezi u pezullua nga FIFA për 90 ditë nga të gjitha detyrat, për shkak të përfshirjes së tij në skandalin e FIFA-s. Javët e fundit u zbulua se Sep Blateri kishte derdhur për llogari të francezit një shifër prej dy milionë frangash zvicerane.
Nga ana tjetër, Platini pretendon se kjo shumë është shpërblim për një punë të kryer në për llogari të FIFA-s.