AlbanianSport.com 03.06.2016 16:25
ASNN – Nëse ndokush kishte menduar se mbaronte me zgjedhjen e Xhani Infantinos, është gabuar, pasi skandali i organizmit që qeveris futbollin botëror thjesht thellohet. Kështu, së fundmi është mësuar se 3 ish-zyrtarët e lartë të FIFA-s, presidenti Sep Blater, Sekretar i Përgjithshëm, Zherom Valke dhe Sekretar i Përgjithshëm i përkohshëm dhe ish-drejtor i Financave, Markus Katner, e kanë shpërblyer vetveten me rritje page dhe me shpërblime që kapin shifrën prej 80 milionë dollarësh përgjatë 5 viteve të kaluara.
Ky është rezultati i avokatëve të FIFA-s, teksa organizmi më i lartë i futbollit botëror zbuloi kontratat e ish-presidentit Blater, ish-sekretarit të përgjithshëm, të shkarkuar, Valke, si dhe ish-drejtorit të Financave të shkarkuar Katner, një ditë pas bastisjes së policisë zvicerane në zyrat e vet organizmit. Sipas avokatëve, ka pasur prova të mjaftueshme që tregojnë se, kjo treshe drejtuesish ka bërë një “përpjekje të koordinuar” për t’u “pasuruar” mes viteve 2011-2015.
Dokumentet dhe të dhënat elektronike, të cilat janë sekuestruar gjatë operacionit të së enjtes, kanë lidhje me hetimet që janë duke u zhvilluar ndaj Blaterit dhe Valkes. Të dyshuar për administrim të keq dhe kriminal të fondeve të FIFA-s, Blateri dhe Valke u pezulluan për 6 dhe 12 vite përkatësisht nga të gjitha eventet sportive, një dënim i dhënë prej vet Komitetit të Etikës së trupës më të lartë qeverisëse të futbollit botëror, gjatë muajit shkurt. Të dy ata mohojnë të kenë kryer veprime të paligjshme.
FIFA është përfshirë nga trazirat dhe akuzat për korrupsion që prej majit të vitit 2015, kur një hetim amerikan zbuloi shkallën e gjerë të korrupsionit në organizatën më të lartë.