AlbanianSport.com 22.09.2015 12:05
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare, ish-zv/presidenti i FIFA-s, Xhek Uorner do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prokuroria e Përgjithshme e Trinidad-Tobagos nënshkroi dokumentacionin e nevojshëm që lejon transferimin e Uornerit në shtetin amerikan, ku do t’u përgjigjet 12 akuzave të ngritura ndaj tij për korrupsion dhe marrje ryshfeti.
Xhek Uorner është një prej personave të arrestuar nga autoritetet zvicerane me kërkesë të Prokurorisë së SHBA në fundin e muajit maj, pikërisht 2 ditë përpara Asamblesë së Përgjithshme të FIFA-s. Uorner, që ka mbajtur postin e zv/presidentit të FIFA dhe presidentit të CONCACAF-it, nuk i pranoi akuzat.
Por problemi qëndron se emri i tij u përfshi në një tjetër skandal, atë të marrjes së 10 milionë dollarëve amerikanë në formën e ryshfetit për të votuar në favor të kandidaturës së Afrikës së Jugut për organizimin e Botërorit 2010. Skandali i korrupsionit në FIFA i kushtoi shtrenjtë edhe në karrierën politike Xhek Uorner, kjo për faktin se ai humbi në zgjedhjet parlamentare të zhvilluar në fillim të këtij muaji në Trinidad-Tobago.