AlbanianSport.com 07.11.2016 13:35
ASNN – FIFA ka publikuar nominimet për çmimin “Pushkash 2015”, i cili jepet për golin më të mirë të shënuar gjatë këtij vitit. Në këtë listë është Lionel Mesi, me supergolin që shënoi ndaj Atletikos së Bilbaos në finalen e Kupës së Mbretit. Në këtë garë janë gjithashtu Karlos Tevezi, Florenci i Romës dhe Meksesi i Milanit, si dhe disa lojtarë më pak të njohur, por që sidoqoftë kanë realizuar gola të bukur.
Organizmi që qeveris futbollin botëror shpalli kështu listën me 10 golat më të bukur të sezonit, kandidatë për fitimin e çmimit “Pushkash”, që jepet gjatë ceremonisë së “Topit të Artë”, në muajin janar të vitit të ardhshëm. Lista është përpjekur të përmbledhë golat më të bukur, kryevepra personale, goditje nga jashtë zone, “sllallom” nga mesi i fushës dhe aksione në grup.
Mesi është i pranishëm në këtë listë me golin e shënuar ndaj Atletikos së Bilbaos në ndeshjen e Kupës, ndërsa bashkëatdhetari i tij, Karlos Tevez është përfshirë për golin e shënuar ndaj Parmës. Edhe francezi Mekses ndodhet në këtë listë falë golit akrobatik të shënuar në ndeshjen miqësore të luajtur ndaj Interit gjatë fazës përgatitore në muajt e verës.
Ndërkohë që listës nuk kishte si t’u mungonte perla nga mesi i fushës e lojtarit të Romës, Florenci në ndeshjen e zhvilluar ndaj Barcelonës, e vlefshme për fazën në grupe të Ligës së Kampioneve.