AlbanianSport.com 21/02/2020 18:30
ASNN – Shqipëria mbetet në “vend-numëro”. Nga renditja e fundit e publikuar të enjten në faqen zyrtare të FIFA-s, kombëtarja shqiptare e futbollit nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj. Ajo vazhdon të qëndrojë në vendin e 66-të me 1356 pikë. Kjo renditje është fiksuar në përfundim të ndeshjeve zyrtare të grupit H, që kombëtarja shqiptare luajti në kuadër të Eliminatoreve të “Euro 2020”.
Konkretisht, pas dy ndeshjeve të fundit në muajin nëntor, barazimin me Andorrën 2-2 dhe humbjen me Francën 0-2. Në përfundim të 10 ndeshjeve të luajtura, kuqezinjtë u pozicionuan në grup në vendin e 4-t midis 6 skuadrave. Pozicion në renditjen e FIFA-s, nuk ka ndryshuar as Kosova.
Përfaqësuesja dardane ndodhet në vendin e 115-të, me 1174 pikë. Edhe renditja e skuadrave të pozicionuara në 10 vendet e para nuk ka ndryshuar. Vazhdon të kryesojë Belgjika, e ndjekur nga Franca dhe Brazili. Më tej janë Anglia, Uruguaji, Kroacia, Portugalia, Spanja, Argjentina dhe Kolumbia.