AlbanianSport.com 29.05.2015 07:05
ASNN – Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, nuk do të tërhiqet nga kandidimi. Megjithë skandalin e korrupsionit që ka përfshirë organizmin që qeveris futbollin botëror, Blater ka kërkuar në Kongresin e 65-të të FIFA-s votëbesimin e të pranishmëve. Përtej skandalit masiv të korrupsionit, që ka përfshirë këtë organizëm ka nisur të enjten në Zyrih, punimet Kongresi i 65-të Zgjedhor i FIFA-s.
Pas një ceremonie të veçantë, fjalën e ka marrë presidenti aktual i FIFA-s, Sep Blater, i cili nuk ka marrë përgjegjësitë për çka ka ndodhur dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kandidimi. “E di që shumë njerëz më quajnë përgjegjës për veprimet dhe reputacionin e FIFA-s, por unë nuk mund të monitoroj gjatë gjithë kohës çdo gjë që bëhet në këtë institucion”, – ka deklaruar ai.
“Nëse dikush bën diçka të gabuar sigurisht që do të kërkojë ta fshehë atë”, – ka shtuar Blater, i cili ka theksuar se nuk tërhiqet nga kandidimi dhe ka kërkuar mbështetjen e delegatëve për të marrë mandatin e 5-të në krye të FIFA-s. Më tej ai ka theksuar se nuk do të ketë më hapësira për korrupsion në këtë institucion dhe ka kërkuar besimin e të pranishmëve.
“Të premten në këtë kongres kemi mundësinë të ndërmarrim një rrugëtim të gjatë e të vështirë, për të rifituar besimin e humbur, – ka thënë Blater. – Ose më saktë një pjesë të tij. Është e rëndësishme të mos humbasim shpirtin e futbollit.” Por duket se 79-vjeçari ka humbur besimin e shumë prej delegatëve, madje edhe kreu i UEFA-s, Mishel Platini, ka thënë hapur se nuk do t’ia japë votën Blaterit, por kandidatit tjetër, Princit jordanez, Ali Bin Al Husein.