AlbanianSport.com 17.06.2015 18:45
ASNN – FIFA mund të ketë bërë pastrim parash në bankat zvicerane dhe dyshohet për 53 raste të tilla. Kështu, skandali i FIFA-s zgjerohet edhe më shumë. Drejtuesit e futbollit botëror mund të kenë bërë pastrim parash nëpërmjet bankave zvicerane, dhe prokuroria e Zvicrës dyshon për 53 raste të tilla.
Sipas Prokurorit të Përgjithshëm, Mikael Lauber, kanë qenë vetë bankat zvicerane që kanë lajmëruar për shkeljet e mundshme, ndërsa njëkohësisht po analizohen të dhëna të shumta të konfiskuara në zyrat e FIFA-s. Ai u shpreh i kënaqur që bankat e kishin bërë detyrën siç duhet, dhe theksoi se bankat njoftuan për 53 relacione të dyshimta, përveç 104 relacioneve që diheshin deri tani.
Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se hetimet në Zvicër do të jenë të shkëputura nga ato në Amerikë dhe se informacioni nuk është i sigurt se do t’i jepet edhe palës amerikane. Ai nuk përjashtoi mundësinë që të thirrej për t’u marrë në pyetje edhe Presidenti i dorëhequr i FIFA-s, Sep Blater.
Lauber paralajmëroi se hetimi është i tillë që mund të zgjasë dhe jo të përfundojë për 90 minuta, si të ishte një ndeshje futbolli. Zvicra po heton që nga muaji maj për mënyrën sesi FIFA i dha Rusisë dhe Katarit përkatësisht Botërorët e viteve 2018 e 2022, ndërsa një hetim tjetër po e bën FBI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.