AlbanianSport.com 23.02.2016 14:35
ASNN – Zgjedhjet presidenciale të FIFA-s do të mbahen në 26 shkurt 2016, në Zvicër. Akuzat për korrupsion dhe hetimi që ka hapur FBI-ja ndaj ish-presidentit të FIFA-s, Sep Blater, e ka çuar organizmin më të lartë të futbollit botëror në zgjedhje të parakohshme. Janë 5 kandidatët për kreun e FIFA-s, midis tyre është edhe Xhani Infantino, aktualisht kandidat i UEFA-s, pas largimit të Mishel Platinisë.
Skandali i korrupsionit që ka përfshirë FIFA-n dhe UEFA-n prej muajsh i ka detyruar drejtuesit e këtyre organizmave të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Sep Blateri, ish-presidenti i FIFA-s, akuzohet për marrje ryshfeti në shuma të mëdha si dhe për korrupsion brenda organizmit më të lartë të futbollit. Ai po hetohet nga FBI për këto akuza dhe është larguar nga drejtimi i organizmit që qeveris futbollin botëror.
Zgjedhjet presidenciale të FIFA-s do të zhvillohen në 26 shkurt, si gjithnjë në Zvicër ndërsa 5 kandidatët për kreun e saj janë Princi Ali Bin Al-Husein i Jordanisë, Sheiku Salman Bin Ebrahim Al-Khalifa i Bahreinit, francezi Zherom Shampanjë, italiani Xhani Infantino dhe Tokio Seksueill i Afrikës së Jugut. Infantino, hëpërhë Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, pas përjashtimit të Mishel Platini nga drejtimi i organizmit evropian të futbollit, ka marrë mandatin si kandidat i UEFA-s.
Ai ka mbështetjen e thuajse të gjithë anëtarëve të UEFA-s si dhe 10 anëtarët e Konfederatës Amerikanojugore të Futbollit (CONMEBOL). Ndërsa, Salmani, drejtues i Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC), ka mbështetjen e Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF).