AlbanianSport.com 26.11.2016 17:45
ASNN – Kupa e Konfederatave 2017 ka hedhur të shtunën shortin e saj dhe, në grupin A, Rusia vendase do të përballet me Zelandën e Re, kampionen e re të Evropës, Portugalinë dhe Meksikën. Ndërsa në grupin B, kampionia e botës, Gjermania, do të ndeshet me Kilin, Australinë dhe kampionen e re të Afrikës. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, edhe kjo ceremoni u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Edicioni i 10-të i Kupës së Konfederatave ka hedhur të shtunën shortin e tij, duke përvijuar edhe betejat e kësaj veprimtarie që do të shërbejë si preludi i Kampionatit të ardhshëm Botëror të Futbollit, që do të mbahet një vit më pas në Rusi. Ceremonia e hedhjes së shortit të atij që njihet ndryshe si Turneu i Kampionëve, pasi përball e njëra-tjetrën kampionët e 7 kontinenteve dhe vendin organizator të Botërorit, u zhvillua në Kazan, në kryeqytetin e Republikës gjysmëautonome të Tataristanit të Federatës Ruse.
Sikundër çdo veprimtari madhore sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, edhe kjo ceremoni u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Ceremonia afro 40 minutëshe, ku spikatën dy herë kampionia olimpike e kërcimit me shkop, Jelena Isinbajeva dhe 5 herë fituesi i Premier Ligës Ruse të Futbollit, Sergej Semak, përcaktoi dy grupet e veprimtarisë që do të mbahet në Rusi përgjatë 16 ditëve gjatë verës së ardhshme, nga data 17 qershor, deri më 2 korrik 2017.
Kështu, në grupin A, Rusia vendase do të përballet me Zelandën e Re, kampionen e re të Evropës, Portugalinë dhe Meksikën, ndërsa në grupin B, kampionia e botës, Gjermania, do të ndeshet me Kilin, Australinë dhe kampionen e re të Afrikës. Të gjitha ndeshjet e Kupës së Konfederatave 2017 do të sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.