AlbanianSport.com 24/04/2020 17:55
ASNN – Sikundër kishte premtuar edhe kreu i saj para dy javësh, Organizmi që qeveris futbollin botëror, FIFA ka vendosur të japë ndihmën e saj në këtë periudhë të vështirë për komunitetin e futbollit. I mbiquajturi “Plani Marshall” ka të bëjë me shpërndarjen e 150 milionë dollarëve (138 milionë eurove) për 211 Federatat anëtare të saj. Ky është hapi i parë dhe presidenti Xhani Infantino ka sqaruar gjithçka në deklaratën e tij.
“Epidemia e koronavirusit ka prodhuar një sfidë të panjohur më parë për gjithë komunitetin e futbollit dhe është detyrë e FIFA-s të mbështesë ata që kanë nevojë, – ka thënë kreu i FIFA-s. – Do të fillojmë duke ofruar ndihmë të menjëhershme për Federatat anëtare, shumë prej të cilave po përballen me vështirësi serioze për shkak të kësaj krize globale.”
Në ditët në vijim nis ndihma e parë e FIFA-s dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) pritet të përfitojë 500 mijë dollarë amerikanë (462,000 Euro), aq sa është shuma që do shkojë për çdo Federatë. Duke folur para dy javësh, Infantino pasi sqaruar se ai kishte kërkuar gjithashtu që fondet që u jepen federatave anëtare më vonë gjatë vitit, në kuadër të Programit “FIFA Forward”, të paguhen paraprakisht në mënyrë që të ndihmojnë në likuiditetin financiar të klubeve.
“Nëse futbolli arrin të ketë një diskutim ku të gjithë kontribuojnë pozitivisht dhe mbajnë parasysh interesin global mbi atë individual, unë jam i bindur se e ardhmja jonë mund të jetë më e mirë se e kaluara jonë, dhe ne do të jemi më të përgatitur për kohërat në vazhdim”, – pati thënë italo-zvicerani. Ndërkohë, mësohet se kjo është vala e parë e ndihmave që FIFA do të japë për federatat e futbollit, ndërsa do të përshpejtohet edhe lëvrimi i fondeve të projekteve të tjera, që zakonisht bëhej në përfundim të tyre.