AlbanianSport.com 02.08.2015 11:15
ASNN – Duke i hedhur një sy dhe duke analizuar historikun e presidentëve të FIFA-s, të krijohet përshtypjen se organizmi që qeveris futbollin botëror i ngjan në fakt një diktature përsa i përket drejtuesve dhe jetëgjatësisë së tyre. Nga viti 1904 e deri në 2015-n, pra, në 111 vite, FIFA ka pasur 8 presidentë.
I pari ka qenë francezi Robert Gerën, i cili zgjati vetëm dy vjet 1904-1906. Pas tij u emërua anglezi Daniel Burlej Ulfoll, i cili “mbretëroi” plot 12 vjet (1906-1918). Por ky “mbretërim” i anglezit mund të quhet i papërfillshëm në krahasim me atë që e pasoi në zyr, francezin tjetër Zhyl Rimé, i cili qëndroi 33 vite (1921-1954).
Presidenti i katërt ishte belgu Rodolf Uilliam Seldrejers, i cili shërbeu vetëm një vit, për shkak të ndarjes nga jeta në 1955-n. I pesti president ka qenë anglezi Andreu Drjuri, i cili drejton nga viti 1955, deri më 1961-n, duke ia lënë vendin më pas një tjetër bashkatdhetari, Sër Stenli Rousit, që qëndron në zyrë për 13 vjet (1961-1974).
Në vitin 1974 i vjen radha “diktatorit” brazilian Zhoao Havelanzh (1974-1998), i cili, në vitin 1998, ia lë vendin Sep Blaterit. Pas 18 vitesh, plakushi zviceran, tashmë 79-vjeçar tërhiqet duke i hapur rrugën Mishel Platinisë. Francezi shihet si favorit dhe më 26 shkurt 2016 përcaktohet zyrtarisht në Zyrih presidenti i nëntë.