AlbanianSport.com 29.09.2015 07:05
ASNN – Sep Blateri nuk tërhiqet: “Nuk kam bërë asnjë shkelje, do qëndroj President deri në zgjedhjet e ardhshme”. Zvicerani 79-vjeçar është kthyer dje në punë në zyrën e tij në FIFA, edhe pse prej tre ditësh ai po hetohet zyrtarisht për “keqmenaxhim kriminal” dhe “shpërdorim detyre”. Ai ka deklaruar sot nga Zyrihu se nuk ka bërë asnjë shkelje. “Nuk kam bërë asgjë ilegale apo të pahijshme, – ka thënë Blateri. – Do të qëndroj President deri në zgjedhjet e ardhshme në shkurt.”
Ndërkohë, paratë që i ka dhënë Platinisë, Blateri i ka quajtur “një kompensim dhe asgjë tjetër”. Kreu i organizmit që qeveris futbollin botëror, ka deklaruar dje se ai ndihet i pafajshëm dhe se nuk ka bërë asnjë veprim të paligjshëm në krye të institucionit që ka drejtuar, duke i quajtur akuzat e bëra në adresë të tij si të pabaza dhe tronditëse, duke u kujtuar të gjithëve në fund se dëshiron ta mbajë presidencën deri në zgjedhjet e reja në fillim të vitit të ardhshëm.
Blateri është nën hetim nga autoritetet e drejtësisë së Zvicrës dhe ndaj tij janë ngritur akuza për keqmenaxhim dhe keqpërdorim fondesh, një akuzë penale, por avokati i tij, Lorenc Erni, e bëri të qartë se ai nuk është fajtor dhe nuk ka shkelur asnjë ligj, duke enë korrekt me rregulloret e FIFA-s dhe me ligjet në fuqi. “Presidenti Blater foli për stafin e FIFA-s sot dhe informoi stafin që ai po bashkëpunonte me autoritetet”, – thuhet në komunikatën e institucionit futbollit.
“Ai përsëriti se ai nuk kishte bërë asgjë të paligjshme apo të pahijshme dhe deklaroi se ai do të mbetet si president i FIFA-s, vijon më tej komunikata në fjalë. – Për këtë çështje, Blater ka dhënë shpjegime edhe për kreun e UEFA-s, Mishel Platini, me të cilin ka pasur marrëdhënie korrekte dhe të vlefshme për FIFA-n, gjatë kohës që ka shërbyer si këshilltar i presidentit në vitin 1998. Blater i ka sqaruar të gjitha dhe pagesat ishin të vlefshme si kompensim dhe prej tyre janë mbajtur kontributet e sigurimeve shoqërore.”
Ndërkohë, mësohet se Blaterit i është ndaluar të japë intervista dhe të bëjë publike qëndrime të tij pa lejen përkatëse nga prokurorët e çështjes. Me pak fjalë, Blater ndihet i izoluar dhe me siguri që do të procedohet penalisht.