AlbanianSport.com 17.12.2015 19:35
ASNN – Sep Blateri ka dhënë të enjten dëshminë e tij përpara Komisionit të Etikës së FIFA-s, lidhur me akuzat për ryshfet. Ndërsa Mishel Platini, e ka radhën të premten të dëshmojë. Komisioni i Etikës do të marrë vendim javën e ardhshme për dy drejtuesit e FIFA-s dhe UEFA-s. Presidenti i pezulluar i FIFA-s, ka mbërritur të enjten në selinë e organizmit që qeveris futbollin botëror për të dhënë shpjegimet e tij para Komisionit të Etikës.
Gjatë deklarimit të tij, Blater ka përsëritur edhe njëherë se 2 milion frangat zvicerane të dhëna nga FIFA për Platininë në vitin 2011, janë legjitime, pasi është zbatuar vetëm kontrata për punën që Platini kishte bërë më parë për organizmin e futbollit botëror. Platinia është planifikuar të paraqitet para Komisionit të Etikës të premten, por nr. 1 i UEFA-s ka deklaruar nëpërmjet avokatit të tij se nuk do të marrë pjesë. Kjo në shenjë proteste ndaj asaj që ai e quan si një proces të ideuar më parë.
Gjykatësit e Komisionit të Etikës në FIFA do të vendosin për rastet e Blater e Platini javën e ardhshme. Ndërsa nga Rusia vjen lajmi se Putin kërkon që Blaterit t’i jepet çmimi “Nobel” për Paqen për kontributin që ka dhënë në FIFA. Me këtë ai kërkon të justifikojë faktin që ka fituar të drejtën e organizimit të Botërorit 2018. Putin ka theksuar edhe njëherë faktin se është kundër përdorimit të dopingut, duke e quajtur si një helm që shkatërron parimin e lojës së ndershme.