AlbanianSport.com 19.09.2015 22:15
ASNN – Sep Blateri rrezikon të arrestohet dhe, për këtë arsye, avokatët e këshillojnë të mos largohet nga Zvicra. Mesa duket, po shkon gjithmonë më lart dhe gjithmonë e më afër shefit të madh. Skandali i korrupsionit që prej muajsh ka tronditur FIFA-n po i afrohet edhe Sep Blaterit. Konfirmimi vjen pas pezullimit nga detyra të Zherom Valke, sekretarit të përgjithshëm të qeverisë botërore të futbollit dhe njëkohësisht, njeriu më I besuar të zvicerianit.
Me profesion gazetar dhe prej tetë vitesh në rolin e numrit dy të FIFA-s, francezi akuzohet se ka ricikluar shitjen e biletave të Botëroti 2014, duke i nxjerrë ato në tregun e zi. Kjo është një tjetër lëvizje e hetuesve amerikanë për t’iu afruar Sep Blaterit. Prej muajsh, FBI-ja po heton në lidhje me atë që u cilësua si skandali më i madh i korrupsionit në FIFA dhe që solli arrestimin e 11 zyrtarëve të lartë të organizmit që qeveris futbollin botëror.
Por vetëm pak ditë më parë, prokurorja e përgjithshme amerikane paralajmëroi arrestime të tjera, madje në postet më të larta të FIFA-s. Dhe pezullimi i Zherom Valkes është një paralajmërim se këto kërcënime nuk ishin të kota. E kanë kuptuar këtë edhe avokatët e Sep Blaterit. Sipas rrjetin prestigjioz britanik, BBC, ata i kanë kërkuar presidentit në detyrë të FIFA-s, të mos largohet nga Zvicra.
Ata i kanë sugjeruar sidomos të evitojë udhëtimet në shtetet që kanë marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që mund të ekzekutojnë për llogari të tyre çdo urdhër arresti. Por Blater nuk do të rrezikojë asgjë dhe për këtë arsye ka anuluar vizitën e programuar në Rusi, ku do të nisë numërimi mbrapsht i 1 mijë ditëve deri në Botërorin 2018. Si rrallëherë në jetë, 79-vjeçari i njohur për driblimet e tij në arenën e futbollit botëror, këtë herë ka mbetur pa top.