AlbanianSport.com 08/02/2019 23:00
ASNN – Iku nga Skënderbeu dhe firmosi me Kalmarin në Suedi, Fidan Aliti e nis direkt me gol. Ish-futbollisti i Skënderbeut, Fidan Aliti, ka bërë një debutim ëndrrash me skuadrën e tij të re, Kalmar, në kampionatin suedez. Në fakt, ish-futbollisti i skuadrës korçare shquhet si lojtar teknik dhe që luan në disa pozicione në fushë dhe aftësitë e tij nuk vihen në diskutim.
Por nuk pritej që ai të përshtatej kaq mirë me skuadrën e tij të re, ku la gjurmë menjëherë sapo zbriti në fushë. Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Fidan Aliti, në debutimin e tij për ekipin e Kalmarit ka realizuar një gol që në ndeshjen e tij të parë me skuadrën e re. Aliti realizoi golin e barazimit në miqësoren që e zhvilluan ndaj Arsenal Tulës.
Në tërësi paraqitja e futbollistit shqiptar ishte shumë e mirë dhe mediat suedeze flasin për një goditje serioze dhe cilësore të Kalmarit. Goli dhe paraqitja e mirë që në këtë takim të parë, edhe pse miqësor, tregojnë se Aliti është një blerje e goditur prej klubit suedez. Kështu, mesfushori me tipare mbrojtëse që është me origjinë nga Kosova u largua nga Skënderbeu pak ditë më parë dhe firmosi me Kalmarin, skuadrën e njohur suedeze.
Kjo u bë e mundur nëpërmjet një marrëveshje midis klubit korçar dhe atij suedez, ku 20% të kartonit i mbajti klubi “kampion” i Shqipërisë. Theksojmë se Skënderbeut i kanë ikur shumë lojtarë titullarë këtë edicion dhe Aliti ishte thjesht i radhës. Në pritje të vendimit nga Gjykata Sportive e Lozanës dhe rrezikut të një penalizimi afatgjatë, duket se edhe klubi po pranon që lojtarët t’i shesë për të përfituar shuma të majme parash.