AlbanianSport.com 03.11.2014 12:30
ASNN – Ka patur festë dje në Memaliaj. Me rastin e 62-vjetorit të krijimit të qytetit, dje paradite u zhvillua ceremonia e inaugurimit të rikonstruksionit të stadiumit “Karafil Çaushi”. Një investim ky i FSHF-së në shumën e 20,000 eurove, ku u rikonstruktua plotësisht godina e stadiumit si dhe u bë pajisja me 1,000 stola plastikë.
Gjithashtu, u bënë disa punime shtesë edhe nga Bashkia. Shiritin e inaugurimit e prenë deputeti, Dashamir Kamberi, Kryetari i Bashkisë, Lulëzim Meçi si dhe tifozi veteran Veip Mema. I pranishëm në ceremoninë e djeshme ishte edhe zyrtarë të FSHF-së. Më pas, kryebashkiaku shtroi edhe një koktej për të pranishmit ku morën pjesë futbollistë, trajnerë, sportdashës dhe qytetarë të thjeshtë.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Meçi u shpreh: “Bashkia do t’i përkushtohet sportit dhe në veçanti futbollit për ta kthyer ekipin në nivelet më të larta aty ku Minatori i dikurshëm bënte ligjin”. Namik Çaushi, i biri i Karafil Çaushit, emrin e të cilit mban stadiumi i Memaliajt, u shpreh: “Në futbollin tepelenas dhe atë memaljot, familja jonë ka 77 vjet që ka investuar në breza.”
“Për mua është një kënaqësi e madhe. Faleminderit FSHF-së dhe Bashkisë!” – ka shtuar ai. Veip Mema, tifozi 80-vjeçar i memaljotëve, u shpreh: “Falë përkushtimit të kryetarit të bashkisë dhe kreut të FSHF-së, Armando Duka, Memaliaj tashmë ka një stadium bashkëkohor”.
Ndërkohë, ish-futbollisti dhe mjeshtër sporti, Ferman Haska, deklaroi: “Kemi një jetë që i jemi përkushtuar futbollit dhe është kënaqësi e veçantë që shohim këtë investim”. Ndërkaq, festa ka vazhduar më pas edhe në fushë ku Memaliaj ka arritur të fitojë ndeshjen e radhës ndaj Bilishtit 1-0 me gol të Gashit.