Adriatik Balla 22.05.2015 14:40
Skuadrat private janë shtuar ndjeshëm në kategoritë e ndryshme, sidomos ato të poshtmet e Kampionatit Kombëtar të Futbollit tonë dhe disa prej tyre kanë pasur shumë sukses.
Kështu, FC Kevitan, skuadra që i surprizoi të gjithë këtë sezon në Kategorinë e Tretë, nga viti i ardhshëm do të jetë pjesë e Kategorisë së Dytë, pasi arriti të fitojë në finalen me Internacionalin me rezultatin e pabesueshëm 11-1, duke konfirmuar se në këtë kategori nuk ka rivalë.
Ekipi i krijuar vetëm kohët e fundit, e dominoi tërësisht lojën përballë kundërshtarit të saj dhe arriti të qëndronte në shifrat 1-1, vetëm për 10 minuta lojë, pasi golat e Hysenajt, Mëziut dhe Vatajt i dhanë një epërsi 3-1, që në minutën e 25-të.
Hysenaj e përsërit dhe njëherë tjetër në minutën e 35-të duke ngritur shifrat në 4-1, ndërkohë që dhe në pjesën e dytë Kevitan e pati gjithçka mjaft të thjeshtë, me Mëziun që shënoi dhe dy herë të tjera ashtu si dhe Azizi.
Ndërsa nga një gol i shtuan shifrave në fushë dhe Pjetri, Hajdari dhe Marku me rezultatin përfundimtar 11-1, që bënë lojtarët të festonin në përfundim të takimit dhe ngjitjen në Kategorinë e dytë. Një sukses i veçantë ky për ekipin e FC Kevitan.