Nga Altin B. Kodra (ASNN) 30.12.2014 13:25
…Vijon nga dje
Faza e dytë e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, mund të thuhet pa frikë se është dominuar në shumicën e saj nga Partizani, por ky dominim ka nisur të venitet në javët e fundit të saj. Skuadra e Duros e ka nisur fazën e dytë me fitoren 2-0 në kryeqytet ndaj Laçit në javën e 10-të, duke vijuar një javë më pas me një fitore minimale po në Tiranë ndaj Apolonisë, por është mundur 0-3 në javën e 12-të në Korçë nga Skënderbeu vendas.
Megjithatë, në 3 javët në vijim, nga ajo e 13-ta, deri në atë të 15-të, kanë ardhur 3 fitore të tjera për Partizanin, prej të cilave dy janë mjaft të vlefshme, ato 2-0 përkatësisht ndaj Kukësit dhe Tiranës në derbin e kryeqytetit, dhe midis tyre ishte ai triumf minimal në Durrës ndaj Teutës vendase.
Sidoqoftë, java e 16-të solli atë humbje minimale në Vlorë përballë Flamurtarit vendase, që u pasua nga ajo humbje me të njëjtat shifra në kryeqytet përballë Vllaznisë në javën e 17-të.
Kjo u ka dhënë mundësi dy pretendentëve të sezonit të vjetshëm, Kukësit nënkampion dhe Skënderbeut kampion në fuqi, që të përfitojnë dhe të marrin përkatësisht dy vendet e para të renditjes. Kjo “status-quo” e kreut u ruajt edhe në javën e fundit, atë të 18-tën, kur Kukësi, Skënderbeu, Partizani dhe Tirana, fituan në ndeshjet përkatëse. Ky rivalitet, i shoqëruar me përmbysje nga java në javë, ka dëshmuar edhe një herë se formula e përzgjedhur ka dhënë fryte, ndërsa, përtej dënimeve të skuadrave për arsye disiplinore, ky sezon ka shënuar edhe rikthimin e tifozerisë në numra të shumtë nëpër stadiume, sikundër vërehet në Vlorë, në Shkodër apo sikundër u pa në derbin e kryeqytetit midis Partizanit dhe Tiranës.