AlbanianSport.com 18/10/2018 16:10
ASNN – Rregulli i ri i futur nga UEFA mbi bilancet financiare, ose më saktë “Fair Play” Financiar, ka bërë një tjetër viktimë sot. Bëhet fjalë për klubin rus të Rubin Kazanit, i cili është pezulluar. Ka qenë vetë organizmi që qeveris futbollin kontinental që nëpërmjet një komunikate ka njoftuar përjashtimin e klubit rus nga veprimtaritë e saj.
Por vendimi hyn në fuqi sezonin e ardhshëm, pasi këtë edicion Rubin Kazan nuk merr pjesë në veprimtaritë e UEFA-s, pasi nuk ka mundur të kualifikohet. UEFA nuk e specifikon në fakt se cila pikë e marrëveshjes është shkelur, por kjo nuk ndryshon asgjë, sepse vendimi për përjashtim mbetet në fuqi.
Në fillim klubi rus ishte gjobitur me 3 milionë euro, ndërsa tani duhet ta paguajë edhe më shtrenjtë faktin që ka shkelur pikat e marrëveshjes së 2014-ës, prandaj vjen ky pezullim nga veprimtaritë kontinentale që u kushton arkave të klubit dhe njëherësh imazhit të tij.
Ironike duket, kur kujton se, për herë të fundit, kjo skuadër ka marrë pjesë ne Kupat e Evropës në sezonin 2015-2016, pikërisht në Ligën e Evropps, në vend të Dinamos së Moskës, një tjetër skuadër e Premier Ligës së Rusisë, që u skualifikua pikërisht për mosrespektim të “Fair Play”-it financiar.