AlbanianSport.com 02/01/2018 19:45
ASNN – Skandal botëror, sheikët e Paris SG dhe Mançester Sitit kanë korruptuar UEFA-n dhe FIFA-n. “Football Leaks” po trondit botën e futbollit me informacionet e fundit. Pjesë nga kjo dosje të botuara nga “Mediapart” dhe gazeta gjermane “Der Shpiegel” gjatë ditës së premte kanë ngritur alarmin për qeverinë botërore dhe atë evropiane të futbollit, pra FIFA-n dhe UEFA-n, të cilat janë bërë pjesë e një skandali të madh, për të cilin thuhet se është vetëm maja e ajsbergut.
Zyrtarët më të lartë të këtyre institucioneve janë korruptuar nga bosët e klubeve të Paris SG-së dhe Mancester Sitit, pra nga sheikët e naftës që kanë në pronësi këto klube, në lidhje me “fair-play”-in financiar. Janë konstatuar injorime të raporteve të specialistëve, kontrata sponsorizimi, organet e kontrollit të kapur nga sheikët në fjalë dhe një mori dokumentesh që pritet të fundosin zyrtarët më të lartë të UEFA-s dhe FIFA-s, përfshi ish-presidentin e UEFA-s, Mishel Platininë.
Por edhe ish-sekretarin e UEFA-s e njëherësh presidentin aktual të FIFA-s, Xhani Infantino. Madje në skandal është përfshirë dhe ish-presidenti i Francës Nikolas Sarkozi. Dokumentacioni i publikuar ka zbuluar se Infantino dhe Platini, në 2012-ën, kanë miratuar marrëveshjen ekonomike mes klubit francez dhe Katarit, pavarësisht se ka qenë kundër rregullave të drejtësisë financiare. Dhe bëhet fjalë për një shumë prej 1.8 miliardë dollarë.
Të dy klubet, pra PSG dhe Mancester Siti, kanë shkelur rëndë rregullat financiare ndër vite dhe në më shumë se një rast kanë qenë në prag të përjashtimit nga garat evropiane, por ia kanë hedhur paq, falë faktit që drejtuesit e lartë të UEFA-s atëherë, kanë bërë “qorrin” dhe “shurdhin” dhe kanë aplikuar gjoba simbolike, sa për të thënë që po monitorojnë situatën.
Me daljen në skenë të skandalit, Paris SG-ja rrezikon përjashtimin nga Liga e Kampioneve, ndërsa priten hetime intensive për zyrtarët e shumtë të UEFA-s dhe FIFA-s që nuk kanë bërë detyrën dhe dyshohet se janë korruptuar nga paratë e Al-Thanit të Mançester Sitit e Al-Khelaifit të Paris SG-së. Nafta po njollos kështu futbollin elitar evropian por mediat ndërkombëtare paralajmërojnë se ky është vetëm një aspekt i skandaleve që pritet të shpërthejnë.