AlbanianSport.com 27.12.2016 09:45
ASNN – Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, e ka cilësuar vitin 2016 si më të rëndësishmin dhe më të suksesshmin që prej ekzistencës të futbollit të Kosovës.
Ai të hënën në një intervistë për të përditshmen e mirënjohur të Kosovës, “Koha Ditore”, ka thënë se arritja më e madhe ka qenë pranimi, si në UEFA dhe FIFA, gjatë muajit maj të këtij viti.
Pastaj ka qenë edhe paraqitja e përfaqësueses në fazën eliminatore të Kampionatit Botëror “Rusia 2018” si dhe ngritja e nivelit të kampionatit. “Viti 2016 është ndoshta më i rëndësishmi prej ekzistencës të futbollit të Kosovës”, – ka thënë Vokrri të hënën.
“Nuk është e vështirë të gjendet arsyeja, pasi dëshira dhe ëndrra e kamotshme e shumë paraardhësve të mi dhe dashamirëve të futbollit, është realizuar me pranimin tonë”, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin e Kosovës.
Vokrri ka thënë se në vitin 2017, shpreson që përfaqësuesja e Kosovës të sjellë rezultate më të mira. Megjithatë, ka thënë se kërkesat janë më të mëdha nga sa është në të vërtetë realiteti.