AlbanianSport.com 24/03/2021 23:55
ASNN – Nis Kampionati kontinental i kësaj grupmoshe, çdo ditë, një ndeshje drejtpërdrejt në RTSH SPORT. Ka nisur të mërkurën faza finale e Kampionatit Evropian të Nën-21-vjeçarëve, që mbahet gjatë këtij viti në Hungari dhe Slloveni. Siç dihet, faza e grupeve në mars, çerekfinalet në maj dhe gjysmëfinalet e finalja në qershor të këtij viti. Të mërkurën janë luajtur ndeshjet e para në dy grupet e para dhe Republika Çeke dhe Italia janë ndarë në barazim 1-1, kurse Spanja ka mundur Slloveninë në grupin B.
Ky Evropian i kësaj grupmoshe është një tjetër ekskluzivitet i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport përballjen midis Hungarisë dhe Gjermanisë, të vlefshme për grupin A. Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura dhe gjermanët kanë arritur ta konkretizojnë mbizotërimin e tyre vetëm pas një ore lojë. Gjermania do të vijojë të këmbëngulë dhe do të gjejë edhe një gol të dytë në minutën e 67-të
Këmbëngulja e përfaqësueses gjermane vazhdon dhe, është futbollisti me origjinë shqiptare, Mërgim Berisha, që godet dy herë radhazi shtyllën horizontale të portës hungareze, por, në rastin e dytë, Baku gjen edhe golin e 3-të të miqve dhe të dytin personal, duke vulosur edhe fitoren e skuadrës së tij. Në takimin tjetër të këtij grupi, Rumania dhe Holanda kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë secila. Takimet e para të grupeve C dhe D luhen të enjten dhe pasdite, duke nisur nga ora 15:00, RTSH Sport do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt takimin më të spikatur, atë midis Anglisë dhe Zvicrës.