Nga Frederik Ruço 18.09.2016 10:40
Evgjeni Vasil Sofije Kote (“Xheku”) lindi në Tiranë më 22 Qershor 1931 dhe shkaku kryesor, që u bë figurë e paarritshme në sportin e basketbollit për femra, ishte i ati Vasil Kote. Në fundshekullin e XIX i ati kthehet nga emigrimi në Amerikë dhe vendoset në Tiranë në rrugën e Kavajës, ku blen truallin tek familjet e mirënjohura tiranase me mbiemrin Xhafa. Familja Kote, pasi vuri bazat e jetës në lagjen në fjalë, u fut në memorien dhe opinionin e lagjes si një familje e denjë për t’u respektuar.
Familja e madhe prej 10 anëtarësh, duke futur dhëndurët e nuse, por dhe kushërinjtë e tyre dhe, nipër-stërnipër, mbesa-stërmbesa, e çon sot numrin e anëtarëve mbi njëqind, e cila çmohej për një harmoni të përkryer. Të gjithë ishin të vetëdijshëm se autoritari i këtij rrethi gjigant ishte njëri. Dhe ai ishte i ati “Xhekut”; Vasil Ilia Kote. Xha Vasili, siç i thërrisnin të gjithë, këtë pushtet nuk e kish vënë me dhunë, por me sjellje njerëzore dhe, vetëm me ngulitjen në saj të paraqitjes figurative të ngjarjes dhe analizës që i bënte, pavarësisht se kujt moshe i përkiste e dëgjonte, ai i përkiste të gjithëve.
Karakteristika e tij që e veçonte ishte sjellja e qortimit me shpjegimin filozofik të ngjarjes, të cilën e shpjegonte duke ja ngulitur gjithkujt me logjikën e arsyetimit të ndodhisë. Në sëndukun që kishte sjellë nga Amerika brenda ishte dhe një shportë basketbolli. Xheku thotë: “Babai, në kohën e emigrimit në Amerikë, ishte i pasionuar me sportin e basketbollit dhe, si i tillë, ai solli në Shqipëri shportën e basketbollit, të cilën e vendosi në një tabelë në oborr për të gjithë pjesëtarët e familjes dhe më gjerë”.
Sikurse ndodh për këto raste dikush do të ishte më i pasionuari. Dhe kjo ishte Xheku. Ajo gdhihej e ngrysej përballë kësaj tabele, por jo të gjithë e futnin topin në kosh. Në garat e rastësishme, a po dhe të organizuara, Xheku dilte fituese. Ajo dallohesh dhe për karakterin e korrektesën ndaj çdo gjëje të jetës. Diplomimi me arsimim të lartë i saj dhe me notat e shkëlqyera përkonin me përkushtimin ndaj dijes. Kështu ndodhi dhe me sportin, ajo çdo gjë në jetë e merrte seriozisht.
A mund t’i themi rastësi daljes së saj në krye të më të mirave në këtë sport të basketbollit për femra që organizoheshin në shkollë e më pas në Sport-Klub “Tirana”? (Puna e Tiranës).