AlbanianSport.com 20.09.2015 22:05
ASNN – Kampionati Evropian i Basketbollit për Meshkuj ka luajtur sonte aktin e tij të fundit, me finalen e madhe ku përballë njëra-tjetrës kanë qenë Spanja dhe Lituania. Sikundër i gjithë ky Kampionat, edhe finalja e sotme, që u luajt duke nisur nga ora 19:00, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe falas nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kështu, pas 15 ditësh të mbushura me spektakël në parket, patën mbetur në lojë spanjollët, të cilët kishin pësuar 2 humbje gjatë rrugëtimit prej 8 ndeshjesh në këtë kampionat, ndërsa balltikët e patën shijuar vetëm një herë humbjen në këto 8 takime. Megjithatë, Spanja ka qenë dominuese nga fillimi deri në fund, duke triumfuar ndaj lituanezëve dhe duke siguruar për herë të 3-të kurorën e kampiones së kontinentit.
Iberikët e kanë fituar 10-minutëshin e parë me rezultatin e thellë, 19-8, ndërsa në atë të dytin, Lituania ka reaguar, duke e fituar me shifrat 25-22. Pavarsisht kësaj janë spanjollët që shkojnë në pushim të ndeshjes me epërsinë 41-33. Me kthimin në parket, janë sërish spanjollët që dominojnë, duke e fituar pjesën e tretë me shifrat 19-10 dhe duke kryesuar me rezultatin e përgjithshëm 60-43.
Kjo nënkupton që në fraksionin e fundit, spanjollët mjaftohen me administrimin e lojës. Ky 10-minutësh mbyllet në barazi, 20-20, dhe Spanja fiton kështu me rezultatin e përgjithshëm 80-63, duke u kurorëzuar për herë të kampione e Evropës në basketboll për meshkuj.