AlbanianSport.com 09.09.2015 22:50
ASNN – Kampionati Evropian i Basketbollit për Meshkuj, që njihet shkurt si “Eurobasket 2015” vijon fazën e ndeshjeve në grupe dhe sonte është mbyllur dita e katërt e tij, e cila ka dhuruar rezultate interesante.
Në grupin A, që po i luan ndeshjet në Montpelje të Francës, përfaqësuesja vendase ka marrë një fitore të rëndësishme, 74-67, ndaj Rusisë, ndërsa Finlanda ka fituar bindshëm ndaj Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa Izraeli ka vuajtur për fitoren ndaj Polonisë.
Në këtë grup kryeson Franca, me pikë të plota, 8, pas 4 fitoresh, e ndjekura nga Izraeli, me një pikë më pak. Në grupin B, që po i luan ndeshjet në kryeqytetin gjerman, Berlin, ka spikatur fitorja e Italisë në shtesë ndaj përfaqësueses vendase, 89-82.
Po për këtë grup, Serbia ka mposhtur Turqinë, ndërsa Spanja ka fituar ndaj Islandës. Renditjen e këtij grupi e kryeson Serbia, me pikë të plota, 8, pas 4 fitoresh, e ndjekura nga Italia, me një pikë më pak
E njëjta tabllo është edhe në grupin C, ku kryeson Greqia, me pikë të plota, 8, pas 4 fitoresh, e ndjekura nga Sllovenia, me një pikë më pak. Grekët e fituan sonte duelin me sllovenët, ndërsa fitore korrën në Zagreb edhe kroatët vendas dhe gjeorgjianët.
Në grupin e fundit, grupin D, të trija ndeshjet kanë qenë të luftuara “dhëmb për dhëmb”, pasi Belgjika është mundur nga Republika Çeke 64-66, ashtu sikundër ka humbur me një pikë të vetme edhe Letonia vendase përballë Ukrainës, 74-75.
Edhe Lituania, ka vuajtur në derbin balltik, duke triumfuar ndaj Estonisë 64-62. Renditjen e këtij grupi e kryesojnë Republika Çeke dhe Lituania, me nga 7 pikë secila, të ndjekura nga Belgjika dhe Letonia, me nga 6, dhe Ukraina e Estonia, me nga 5 pikë.
Kampionati Evropian
i Basketbollit – Meshkuj
“Eurobasket 2015”
Rezultatet teknike të ditës së katërt:
Grupi A
(Montpelje – Francë)
Bosnjë-Hercegovinë – Finlandë 59-88
Poloni – Izrael 73-75
Rusi – Francë 67-74
Grupi B
(Berlin – Gjermani)
Turqi – Serbi 72-91
Gjermani – Itali 82-89 (me shtesë)
Islandë – Spanjë 73-99
Grupi C
(Zagreb – Kroaci)
Greqi – Slloveni 83-72
Maqedoni – Gjeorgji 75-90
Holandë – Kroaci 72-78
Grupi D
(Riga – Letoni)
Belgjikë – Republika Çeke 64-66
Letoni – Ukrainë 74-75
Lituani – Estoni 64-62